Deklaratat e Donald Trump pas samitit të G7 kanë shkaktuar reagime të forta në Itali, pasi ai pretendoi se Giorgia Meloni i ishte “lutur për një foto”. Kryeministrja italiane e ka mohuar kategorikisht këtë version, duke e quajtur të pavërtetë dhe të papranueshëm. Ndërkohë, kriza e fjalëve ka ndezur debat diplomatik mes Romës dhe Uashingtonit.
Pavarësisht takimit dhe buzëqeshjeve të shkëmbyera gjatë samitit të G7 në Evian, presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer kritikat ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni.
Në fund të samitit të G7 dhe pas mbledhjes së Këshillit Europian, rezultatet e të cilit nuk përmbushën plotësisht pritshmëritë e Uashingtonit, veçanërisht në çështjet e mbrojtjes dhe armatimeve, Trump deklaroi se Meloni ishte “ndoshta e lumtur” që ai kishte folur me të.
Presidenti amerikan përdori tone përçmuese ndaj kryeministres italiane gjatë një interviste ekskluzive për emisionin “L’Aria che Tira” në televizionin italian La7.
“Me shumë gjasa ajo është e lumtur që unë fola me të. Nuk isha i detyruar të flisja me të”, tha Trump. “Ajo m’u lut të bënim një fotografi së bashku. E donte aq shumë atë fotografi. Mund edhe të mos e kisha bërë, por më erdhi keq për të.”
Meloni reagoi menjëherë, duke i cilësuar deklaratat e presidentit amerikan si të pavërteta.
“Jam e habitur. Nuk e kuptoj pse presidenti i Shteteve të Bashkuara sillet në këtë mënyrë me aleatët e tij. Nuk është hera e parë që ndodh. Më vjen keq vetëm që ai nuk tregon të njëjtën vendosmëri ndaj armiqve të Perëndimit dhe ndaj udhëheqësve me të cilët shpesh tregohet shumë më i butë. Një gjë duhet ta ketë të qartë unë dhe Italia nuk i lutemi kurrë askujt”, deklaroi Meloni.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani anuloi udhëtimin e planifikuar në Miami më 21 dhe 22 qershor, duke i cilësuar fjalët e Trumpit “serioze” dhe “fyese” jo vetëm ndaj kryeministres, por ndaj gjithë Italisë.
Takimi në Evian, Francë
Një ditë pas samitit të G7, Meloni kishte deklaruar se marrëdhënia e saj me Trumpin mbetej “e pandryshuar”.
Duke folur për takimin e tyre në Evian, Meloni tha se “Nuk kishim as nevojë të sqaronim asgjë mes nesh. Nuk pati ankesa apo përplasje. Unë dhe Donald kemi karakter të fortë. Jemi dy njerëz që mbrojmë me vendosmëri interesat kombëtare të vendeve tona. Kur nuk pajtohemi për diçka, nuk kemi nevojë për sqarime të veçanta.”
Deklaratat e Trumpit shkaktuan reagime të menjëhershme në skenën politike italiane.
Lideri i partisë Azione, Carlo Calenda, shkroi në rrjetin X: “Trump është një gënjeshtar i përsëritur dhe një bullizues politik. Nuk besoj aspak se Giorgia Meloni i është lutur për ndonjë gjë. Në çdo rast, këto fyerje duhen refuzuar sepse prekin dinjitetin e kombit.”
Senatori i Partisë Demokratike, Filippo Sensi, shprehu solidaritet me Melonin, duke i quajtur deklaratat e presidentit amerikan “të papranueshme”.
Edhe ish-kryeministri dhe lideri i Lëvizjes Pesë Yjet, Giuseppe Conte reagoi për përplasjen.
“Italia nuk meriton të poshtërohet publikisht në këtë mënyrë. E them fillimisht si qytetar italian dhe më pas si politikan. Është e papranueshme që një aleat të flasë kështu për institucionet tona më të larta.”
Conte kërkoi një reflektim serioz mbi ngjarjen, duke shtuar se “interesi kombëtar duhet të jetë mbi çdo kërkim fotografie apo miratimi politik”.
Edhe Nicola Fratoianni, drejtues i Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë, kritikoi ashpër situatën:
“Nuk e di nëse duhet të shqetësohem më shumë për një Trump që duket pa frena apo për besueshmërinë pothuajse zero të Melonit në arenën ndërkombëtare.”
Nga ana e qeverisë italiane, nënsekretari i Presidencës së Këshillit, Giovanbattista Fazzolari, foli për “deliret e Trumpit ndaj Melonit”, duke i konsideruar ato pjesë të një serie sulmesh ndaj liderëve europianë.
“Trump po dëmton marrëdhëniet historike mes SHBA-së dhe Europës. Nuk është e qartë nëse kjo po ndodh për zgjedhje të vetëdijshme apo për paaftësi politike. Në fund, ai po dëmton jo vetëm Europën, por edhe vetë Shtetet e Bashkuara”, tha Fazzolari.
Edhe Maurizio Lupi, kreu i partisë Noi Moderati, i cilësoi deklaratat e Trumpit “të pajustifikuara dhe të papranueshme”.
“Italia nuk lyp asgjë. Kush e njeh Giorgia Melonin e di shumë mirë se ajo nuk do t’i lutej kurrë askujt”, deklaroi ai.
Pjesë nga intervista e Trumpit për La7
Gjatë bisedës telefonike me gazetarin Daniele Compatangelo, korrespondent i La7 në Shtëpinë e Bardhë, Trump u pyet për luftën në Ukrainë dhe për takimin me Melonin.
Kur gazetari e pyeti për bisedën që kishin zhvilluar në G7, Trump u përgjigj:
“Çfarë tha ajo kur më takoi?”
Gazetari: “Besoj se ishte e lumtur t’ju takonte dhe të kishte një mik si ju.”
Trump: “Ndoshta ishte e lumtur që unë fola me të. Nuk isha i detyruar të flisja me të.”
Më pas, i pyetur për takimin, ai shtoi: “Nuk di çfarë t’ju them. M’u lut të bënim një fotografi së bashku. E donte shumë atë fotografi. Mund të mos e kisha bërë, por më erdhi keq për të.”
Në vijim të intervistës, Trump kritikoi edhe politikat europiane për energjinë dhe emigracionin.
“Europianët kanë gabuar plotësisht në energji dhe kanë gabuar plotësisht në emigracion. Nëse nuk i zgjidhin këto probleme, Europa nuk do të jetë më kurrë e njëjta. Emigracioni është një katastrofë, ndërsa energjia, me gjithë ato turbina ere që kanë rezultuar dështim, është po ashtu një katastrofë.”
Lini një Përgjigje