Presidenti amerikan ka sulmuar sërish publikisht aleatë tradicionalë të SHBA-së, pavarësisht premtimit të tij për bashkëpunim dhe mirëkuptim me partnerët ndërkombëtarë.
Donald Trump nuk e ka mbajtur premtimin që bëri më 9 nëntor 2016 gjatë fjalimit të fitores pas zgjedhjes së tij të parë si president i Shteteve të Bashkuara.
“Do t’i trajtojmë të gjithë me drejtësi; me të gjithë njerëzit dhe me të gjitha kombet do të kërkojmë pika të përbashkëta, jo armiqësi; bashkëpunim, jo konflikt”, deklaronte atëherë manjati amerikan.
Që në atë kohë shumë njerëz e pritën me skepticizëm këtë zotim.
Sot, pas deklaratës së fundit kundër kryeministres italiane Giorgia Meloni, për të cilën Trump tha se “më është lutur të bënim një foto në samitin e G7”, lista e sulmeve verbale ndaj liderëve botërorë është bërë shumë e gjatë. Në të përfshihen edhe figura që konsiderohen aleate të afërta të SHBA-së.
Sulmet ndaj Papës
Një nga objektivat më të fundit të Trump ka qenë Papa Leoni XIV, papa i parë amerikan në historinë e Kishës Katolike.
Sipas presidentit amerikan, Papa është fajtor sepse ka kritikuar luftën kundër Iranit dhe ka shprehur kundërshtime ndaj politikave të emigracionit të administratës amerikane, në një periudhë kur operacionet e autoriteteve federale të emigracionit shkaktuan tensione në shumë qytete amerikane.
Për këtë arsye, Trump e cilësoi Papën si: “Të dobët ndaj krimit dhe të tmerrshëm në politikën e jashtme.”
“Nuk dua një Papë që mendon se Irani mund të ketë armë bërthamore. Nuk dua një Papë që mendon se është e tmerrshme që Amerika sulmoi Venezuelën, një vend që dërgonte sasi të mëdha droge në SHBA dhe zbrazte burgjet e veta duke na dërguar vrasës dhe trafikantë. Nuk dua një Papë që kritikon presidentin e Shteteve të Bashkuara sepse po bëj pikërisht atë që premtova gjatë fushatës dhe për të cilën fitova zgjedhjet.”, tha ai.
Trump shkoi edhe më tej duke pretenduar se zgjedhja e Leonit XIV ishte ndikuar nga prania e tij në Shtëpinë e Bardhë.
“Ai u zgjodh vetëm sepse është amerikan dhe sepse Kisha mendoi se ai ishte mënyra më e mirë për t’u përballur me Presidentin Donald J. Trump. Po të mos isha unë në Shtëpinë e Bardhë, ai nuk do të ishte Papë.”
Madje ai deklaroi se parapëlqente vëllain e Papës.
"Më pëlqen shumë më tepër vëllai i tij Louis, sepse ai është plotësisht MAGA. Ai e ka kuptuar gjithçka, ndërsa Leo jo.”
"Macron gabon gjithmonë”
Marrëdhëniet mes Trump dhe presidentit francez Emmanuel Macron kanë qenë prej kohësh të tensionuara.
Që në vitin 2018, Trump sulmoi Macron në rrjetet sociale duke theksuar popullaritetin e ulët të presidentit francez dhe nivelin e papunësisë në Francë.
Por sulmet u ashpërsuan më tej në vitin 2025. Trump ironizoi një episod të ndodhur gjatë një vizite në Vietnam, kur kamerat filmuan Brigitte Macron duke shtyrë me duar bashkëshortin e saj, Emmanuel Macron, një gjest që presidenti francez e përshkroi më vonë si shaka.
Në samitin e G7 në Kanada, në qershor 2025, Trump reagoi ashpër pasi Macron deklaroi se Groenlanda nuk ishte në shitje.
“Presidenti francez Macron, në kërkim të publicitetit, tha gabimisht se unë po largohesha nga samiti i G7 për të punuar për një armëpushim mes Izraelit dhe Iranit. Nuk ka asnjë ide pse po kthehem në Uashington. Qoftë me qëllim apo jo, Emmanuel gabon gjithmonë.”
"Starmer nuk është Churchill”
As marrëdhënia e veçantë mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar nuk ka shpëtuar nga kritikat e Trump.
Në mars 2026, presidenti amerikan kritikoi kryeministrin britanik Keir Starmer për mungesën e mbështetjes së menjëhershme ndaj operacionit ushtarak kundër Iranit.
“Nuk kemi nevojë për dy aeroplanmbajtëset që Britania po mendon të dërgojë tani. Do të ishte mirë t’i kishim pasur dy javë më parë. Nuk duam që dikush t’i bashkohet luftës pasi ne tashmë e kemi fituar.”
Kur Starmer refuzoi përdorimin e bazave britanike për operacionin, Trump e sulmoi drejtpërdrejt me fjalët “Ai nuk është Winston Churchill.”
Në janar 2026, radha i erdhi Kanadasë dhe kryeministrit Mark Carney.
Trump, i cili shpesh e ka quajtur Kanadanë “shteti i 51-të i Amerikës”, reagoi ndaj afrimit ekonomik mes Otavës dhe Pekinit.
“Nëse Mark Carney mendon se mund ta kthejë Kanadanë në një magazinë përmes së cilës Kina do të dërgojë mallrat e saj në SHBA, ai gabon rëndë. Kina do ta gëlltisë plotësisht Kanadanë, do të shkatërrojë bizneset e saj, strukturën sociale dhe mënyrën e jetesës.”, tha Trump.
Sipas raportimeve të Associated Press, Kanadaja kishte negociuar një marrëveshje me Kinën për uljen e tarifave ndaj automjeteve elektrike kineze, në këmbim të reduktimit të tarifave për produktet bujqësore kanadeze.
Trump e akuzoi Carney se po e kthente vendin në një “port shkarkimi” për mallrat kineze që synojnë tregun amerikan.
"Merz uk di çfarë thotë”
Edhe kancelari gjerman Friedrich Merz u bë objekt kritikash pasi komentoi zhvillimet e para të konfliktit me Iranin.
Kur Merz deklaroi se“Irani i ka poshtëruar Shtetet e Bashkuara.”, Trump reagoi menjëherë në platformën e tij Truth Social.
“Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, mendon se është në rregull që Irani të ketë armë bërthamore. Nuk di për çfarë po flet.Nëse Irani do të kishte armë bërthamore, e gjithë bota do të mbahej peng. Po bëj tani atë që vende të tjera ose presidentë të tjerë duhej ta kishin bërë shumë kohë më parë. Nuk është çudi që Gjermania po ecën kaq keq, si ekonomikisht ashtu edhe në aspekte të tjera.”
Më herët, në vitin 2020, Trump kishte përdorur tone të ashpra edhe ndaj ish-kancelares Angela Merkel, të cilën e kishte përshkruar si “Budallaqe, e dobët dhe në xhepin e rusëve.”
Obama dhe polemika për videon e Shtëpisë së Bardhë
Ndër episodet më të debatueshme përfshihet edhe një video e publikuar në shkurt nga llogaria zyrtare e Shtëpisë së Bardhë.
Në video, Barack dhe Michelle Obama paraqiteshin me tipare gorillash. Pas reagimeve të shumta, materiali u fshi.
The New York Times e cilësoi videon si "Një përshkrim që riprodhon një stereotip të vjetër racist, i përdorur historikisht për të çnjerëzuar njerëzit me ngjyrë dhe për të justifikuar diskriminimin e tyre.”
Pas protestave publike, videoja u hoq dhe përgjegjësia iu atribuua një anëtari të stafit.
Rastet e mësipërme tregojnë se retorika e Donald Trump nuk kufizohet vetëm ndaj kundërshtarëve politikë apo rivalëve gjeopolitikë. Në shumë raste, kritikat dhe sulmet verbale kanë prekur edhe liderë të vendeve aleate të SHBA-së, duke reflektuar një stil komunikimi konfrontues që ka karakterizuar prej vitesh figurën e presidentit amerikan në skenën ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje