
Katër ushtarë izraelitë u vranë në Libanin jugor nga një pajisje shpërthyese, duke shkaktuar reagimin e menjëhershëm të kryeministrit Benjamin Netanyahu. Ky i fundit, urdhëroi ushtrinë të intensifikojë goditjet ndaj Hezbollahut.
Në një deklaratë publike, Netanyahu e cilësoi sulmin si një shkelje të hapur të armëpushimit dhe paralajmëroi se grupi militant libanez do të përballet me pasoja të rënda.
“Pas sulmit kriminal të Hezbollahut, i cili përbën një shkelje të hapur të armëpushimit, mbrëmë i dhashë udhëzime Forcave Mbrojtëse të Izraelit që të godasin Hezbollahun me forcë”, deklaroi ai.
Kryeministri izraelit theksoi se Izraeli nuk do të lejojë sulme ndaj forcave të tij ushtarake apo territorit të vendit.
“Direktiva ime është e qartë: Izraeli nuk do të tolerojë sulme ndaj ushtarëve tanë ose në territorin tonë dhe do t’i kërkojë Hezbollahut një çmim shumë të lartë për sulme të tilla”, shtoi Netanyahu.
Katër ushtarët e vrarë janë viktimat e para izraelite që nga arritja e marrëveshjes së armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit. Pas sulmit, ushtria izraelite ndërmori bombardime intensive në jug të Libanit, ku sipas raportimeve humbën jetën të paktën 21 persona.
Netanyahu theksoi gjithashtu se ushtria izraelite do të vazhdojë praninë e saj në Libanin jugor.
“Trupat do të mbeten në zonën e sigurisë në Libanin jugor për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të mbrojtur komunitetet e Izraelit verior”, deklaroi ai.
Lini një Përgjigje