Rritet shqetësimi për stabilitetin strukturor të stadiumit legjendar “Azteca” në Mexico City, i cili është parashikuar të presë ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026 më 11 qershor. Shkencëtarë dhe zyrtarë të NASA-s po ndjekin nga afër lëvizjet graduale të terrenit në zonën ku ndodhet impianti sportiv.
Sipas gazetës sportive spanjolle “Marca”, NASA po monitoron situatën përmes satelitëve radarë të avancuar, përfshirë misionin NISAR. Këta satelitë janë të aftë të identifikojnë edhe lëvizjet më të vogla të sipërfaqes së tokës, duke ndihmuar studiuesit të evidentojnë në kohë reale deformimet e terrenit dhe zonat ku infrastruktura mund të përballet me presion në rritje.
Ky projekt është pjesë e një bashkëpunimi më të gjerë mes NASA-s dhe partnerëve ndërkombëtarë, me qëllim monitorimin e fundosjes urbane dhe vlerësimin e rrezikut për infrastrukturat në qytete të mëdha.
Ndërkohë, raportimet nga terreni flasin për dëmtime gjithnjë e më të dukshme në stadium. Sipas disa dëshmive, copa çimentoje janë shkëputur nga struktura e impiantit, ndërsa tifozë të ndryshëm i kanë marrë ato si suvenire nga stadiumi historik.
Ekspertët e lidhin fenomenin kryesisht me nxjerrjen intensive dhe afatgjatë të ujërave nëntokësore në Mexico City. Shterimi i akuiferëve ndodh më shpejt sesa procesi natyror i rimbushjes, duke bërë që toka të ngjeshet gradualisht nën peshën e urbanizimit të dendur.
Shkencëtari i NASA-s, Marin Govorcin, ka deklaruar se pikërisht ky çekuilibër mes nxjerrjes së ujit dhe rimbushjes natyrore të rezervave nëntokësore është shkaku kryesor i fundosjes së vazhdueshme të tokës.
Fenomeni i fundosjes nuk është i panjohur në botë, por ekspertët theksojnë se ritmi dhe përmasat e tij në Mexico City konsiderohen ndër më ekstremet në nivel global.
Lini një Përgjigje