Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të ndryshojë kalendarin dhe stadiumet e ndeshjeve të “Final 4”, në varësi të rezultateve që do të prodhohen këtë fundjavë. Vendimi ka sjellë reagime dhe kritika, pasi konsiderohet si një ndërhyrje në mes të garës, duke ndryshuar rregulloren fillestare të aktivitetit.
Sipas skenarit të bërë publik nga FSHF, nëse gara për titullin mbetet e hapur pas ndeshjeve të radhës, takimet e fundit do të zhvillohen paralelisht më 31 maj në stadiumet “Air Albania” dhe “Elbasan Arena”. Në këtë rast, sfida Vllaznia-Elbasani do të luhet në Tiranë, ndërsa Egnatia-Dinamo në Elbasan.
Ky ndryshim prek drejtpërdrejt planin fillestar të “Final 4”, i cili ishte prezantuar si një turne që do të zhvillohej tërësisht në “Air Albania”, me argumentin e kushteve më të mira organizative, shikueshmërisë më të lartë dhe pranisë më të madhe të tifozëve.
Një tjetër pikë që ka ngjallur debat është mundësia që ndeshja Egnatia-Dinamo të luhet në Elbasan, qyteti i një prej rivalëve për titull, çka sipas kritikëve mund të cenojë parimin e garës së ndershme.
Megjithatë, skenari i ri nuk është ende përfundimtar. Gjithçka do të varet nga rezultati i ndeshjes Vllaznia-Egnatia, që luhet këtë të shtunë në “Air Albania”. Nëse skuadra shkodrane fiton, atëherë Egnatia del matematikisht nga gara për shkak të përballjeve direkte, ndërsa edhe Dinamo humbet mundësinë për të arritur Vllazninë në renditje.
Në këtë situatë, FSHF do t’i rikthehej planit fillestar të “Final 4”, me ndeshjet e programuara në ditë të ndryshme dhe sfidën Vllaznia-Elbasani që do të vendoste titullin kampion.
Lini një Përgjigje