TAGS-AT E JAVËS

Sport20 Maj 2026, 16:27

22 ditë nga nisja e Botërorit, Ebola ngre alarmin; FIFA monitoron situatën në Kongo

Shkruar nga Pamfleti
22 ditë nga nisja e Botërorit, Ebola ngre alarmin; FIFA monitoron
ebola-kupa e botës

Botërori 2026 po përballet me një tjetër sfidë të papritur vetëm 22 ditë para nisjes së turneut. Pas tensioneve gjeopolitike që kanë vënë në pikëpyetje pjesëmarrjen e Iranit, tashmë vëmendja është zhvendosur te shpërthimi i virusit Ebola në lindje të Republikës Demokratike të Kongos.

Sipas të dhënave zyrtare, epidemia ka shkaktuar deri tani 134 viktima dhe mbi 500 raste të dyshuara, duke ngritur shqetësim në nivel ndërkombëtar. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur situatën emergjencë shëndetësore me rëndësi globale.

Drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, është shprehur se organizata është “shumë e shqetësuar për shtrirjen dhe shpejtësinë e epidemisë”, ndërsa ka theksuar se ende nuk ekziston një vaksinë apo trajtim i miratuar për variantin aktual të virusit.

Në reagimin e saj, FIFA bëri të ditur se po monitoron vazhdimisht situatën dhe po bashkëpunon me Federatën e Futbollit të Republikës Demokratike të Kongos për të garantuar respektimin e të gjitha protokolleve shëndetësore dhe të sigurisë.

Po ndjekim nga afër zhvillimet dhe do të qendrojmë në komunikim të vazhdueshëm me Federatën e Kongos për të siguruar që skuadra të jetë e informuar për të gjitha direktivat”, thuhet në deklaratën e FIFA-s.

Për momentin, pjesëmarrja e Republikës Demokratike të Kongos në Botëror nuk konsiderohet në rrezik. Skuadra, e cila ndodhet në Grupin K së bashku me Kolumbinë, Portugalinë dhe Uzbekistanin, pritet të mbërrijë në Shtetet e Bashkuara më 11 qershor, sipas kalendarit të parashikuar.

Kris Kaneti, pjesë e Komitetit Organizativ të turneut, deklaroi për “USA Today” se nuk ka ndryshime në planifikim.

Po ndjekim rekomandimet e FIFA-s dhe autoriteteve shëndetësore. Aktualisht nuk ka ndryshim të planeve për mbërritjen e skuadrës”, u shpreh ai.

Ndërkohë, autoritetet amerikane dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë vendosur masa të përkohshme kufizuese për personat që kanë qendruar në zonat e prekura nga Ebola.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit deklaroi se po shqyrtohet zbatimi i protokolleve të izolimit, testimit dhe monitorimit edhe për delegacionin kongolez, në përputhje me masat që aplikohen për qytetarët amerikanë dhe rezidentët e përhershëm që rikthehen nga zonat me rrezik.

Megjithatë, futbollistët e përfaqësueses së RD të Kongos nuk pritet të preken drejtpërdrejt nga këto masa, pasi të gjithë lojtarët e grumbulluar nga trajneri Sebastien Desabre aktivizohen në kampionatet europiane. Mes tyre janë Cedric Bakambu, Çarls Pikel, Shansel Mbemba dhe Artur Masuaku.

Pavarësisht alarmit shëndetësor, organizatorët e Botërorit mbeten optimistë se turneu do të zhvillohet sipas planit, ndërsa masat e sigurisë pritet të jenë më të rrepta për delegacionet dhe udhëtarët që vijnë nga zonat e prekura.

virusi ebola fifa kupa e botës

Lini një Përgjigje