Enis Çokaj është prezantuar zyrtarisht si futbollist i Bokumit në Gjermani, duke konfirmuar marrëveshjen që ishte përfolur prej muajit prill. Mesfushori 27-vjeçar i Kombëtares shqiptare do të luajë sezonin e ardhshëm në Bundesliga 2.
Klubi gjerman bëri publik transferimin përmes një njoftimi zyrtar, ku konfirmoi edhe kohëzgjatjen e kontratës së lojtarit shqiptar.
“Mirë se erdhe te Bokumi. Klubi ka nënshkruar me 27-vjeçarin e përfaqësueses së Shqipërisë. Kontrata e tij te bardheblutë do të jetë e vlefshme deri në verën e vitit 2028”, thuhet në komunikatën e klubit.
Çokaj, i cili në futbollin shqiptar ka luajtur me Laçin, u ftua në Kombëtaren shqiptare nga ish-trajneri Silvinjo gjatë vitit 2025, ku mori minuta edhe në ndeshjen miqësore ndaj Gjibraltarit.
Gjatë prezantimit të tij, mesfushori shqiptar u shpreh entuziast për aventurën e re në Gjermani dhe atmosferën që e pret te Bokumi.

“Ky klub ka një histori të veçantë, përfaqëson vlera unike dhe ka tifozë tepër entuziastë, kjo është pikërisht arsyeja pse e dua futbollin. Që nga momenti i parë që dëgjova për interesin e Bokumit, e ndjeva se ishte zgjedhja e duhur.
Kam parë tashmë disa video të fitoreve në shtëpi dhe menjëherë u rrëqetha. Këto janë momentet për të cilat punon si lojtar. Mezi pres të luaj para këtyre tifozëve të apasionuar dhe premtoj se do të bëj gjithçka që mundem për t’u siguruar që të përjetojmë momente të tilla së bashku në të ardhmen”, deklaroi Çokaj.
Edhe drejtori i Bokumit, Simon Zoler, vlerësoi cilësitë e futbollistit shqiptar, duke theksuar karakterin dhe profilin që ai sjell në skuadër.
“Kaluam një kohë të gjatë duke diskutuar dhe folur me Enisin. Ai është një lojtar që nuk dorëzohet kurrë dhe zotëron pikërisht atributet që na duhen për ADN-në tonë të Bokumit. Shpirt luftarak, pasion dhe zemër në fushë, kohezion, përulësi dhe respekt brenda ekipit. Jemi të kënaqur që ai na ka zgjedhur dhe jemi absolutisht të bindur se do të kontribuojë me cilësitë që janë thelbësore për një sezon të suksesshëm”, u shpreh Zoler.
View this post on Instagram
Lini një Përgjigje