Reali i Madridit po përgatitet për një verë me ndryshime të mëdha në përbërjen e skuadrës. Mediat spanjolle raportojnë se deri në 10 futbollistë mund të largohen nga “Los Blancos”, në kuadër të një ristrukturimi të gjerë që pritet të miratohet edhe nga trajneri i ri i ekipit, i cili, në mungesë të surprizave në procesin zgjedhor të klubit, pritet të jetë Zhoze Murinjo.
Një nga emrat e parë që mund të largohet është portieri ukrainas Andrij Lunin. Pavarësisht paraqitjeve të mira sa herë është aktivizuar, drejtuesit e klubit synojnë t’i japin hapësirë Javi Navarros, talentit të ri që u shpall hero në triumfin e Realit në UEFA Youth League.
Në repartin mbrojtës, dy largime konsiderohen të sigurta për shkak të përfundimit të kontratave. Dani Karvahal ka konfirmuar fundin e aventurës së tij me klubin madrilen, ndërsa edhe David Alaba pritet të largohet. Antonio Rudiger, nga ana tjetër, do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës pas rinovimit edhe për një sezon tjetër.
Reali po shqyrton gjithashtu largimin e njërit prej mbrojtësve të majtë. Fran Garcia shihet më pranë largimit sesa Alvaro Karreras, i cili konsiderohet një nga afrimet më të rëndësishme të klubit. Sa i përket Ferland Mendi, dëmtimi i rëndë mund të çojë në një marrëveshje për ndërprerjen e kontratës.
Edhe mesfusha pritet të pësojë ndryshime. Dani Sebajos, i cili ka edhe një vit kontratë, po mendon një aventurë të re. Në listën e lojtarëve nën vëzhgim janë edhe Eduardo Kamavinga dhe Federiko Valverde. Francezi nuk ka arritur të bindë me paraqitjet e tij, ndërsa për Valverden ndikim ka pasur edhe incidenti me Aurelien Çuameni. Në rast të largimit të uruguaianit, klubi madrilen mund të përfitojë financiarisht nga shitja e tij.
Në repartin ofensiv, Gonzalo është një tjetër emër që mund të largohet. Sulmuesi i ri nuk arriti të kishte vazhdimësinë e pritur pas paraqitjeve të mira në Botërorin e Klubeve. Besimi më i madh ndaj tij erdhi nga Çabi Alonso, ndërsa me Arbeloan aktivizimet e tij ishin të kufizuara.
Në fund, mbetet e paqartë situata e Vinicius Zhunior. Braziliani ka kontratë deri në qershor të vitit 2027, por ende nuk ka sinjale për rinovim. Nëse palët nuk arrijnë marrëveshje, Reali mund të detyrohet ta shesë sulmuesin gjatë verës së ardhshme për të shmangur largimin e tij me parametra zero.
Lini një Përgjigje