Nëse Kuvendi nuk arrin marrëveshje në seancën e fundit të sotme, vendi shkon në zgjedhje parlamentare brenda 45 ditësh
Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish në përpjekjen për të zgjedhur presidentin e ri të vendit, duke e çuar procesin në një pikë kritike.
Sot, më 28 prill, pritet të zhvillohet seanca e fundit në orën 10:00, e cila konsiderohet vendimtare për zgjidhjen e ngërçit institucional. Nëse edhe kjo seancë përfundon pa marrëveshje mes forcave politike, Kushtetuta parashikon shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare brenda 45 ditëve.
Seanca e jashtëzakonshme e mbajtur dje, më 27 prill u karakterizua nga mungesa e deputetëve të opozitës, të cilët vendosën ta bojkotojnë procesin. Në sallë ishin të pranishëm vetëm 64 deputetë, ndërkohë që për zhvillimin e vlefshëm të seancës kërkohen të paktën 80.
Pavarësisht kësaj, mazhoranca vijoi me procedurat dhe paraqiti dy kandidatura të reja: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Në votimin e zhvilluar me procedurë të fshehtë:
Feride Rushiti mori 63 vota,
Hatixhe Hoxha nuk mori asnjë votë,
Ndërsa, një votë u shpall e pavlefshme.
Pas këtij rezultati, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi vazhdimin e seancës për ditën e sotme.
Para këtyre zhvillimeve, dy emrat e propozuar fillimisht nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe Fatime Mulhaxha-Kollçaku u tërhoqën nga gara pas dy raundeve të pasuksesshme votimi.
Kjo lëvizje u interpretua si përpjekje për të zhbllokuar procesin, por nuk arriti të prodhojë konsensus politik.
Përplasje politike dhe akuza për shkelje kushtetuese
Zhvillimet kanë nxitur reagime të forta nga opozita, e cila e konsideron të paligjshëm procesin e ndjekur.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka cilësuar procesin si “puç kushtetues”, duke argumentuar se nuk është plotësuar kuorumi i nevojshëm për votim. Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se veprimet e partisë në pushtet përbëjnë “përmbysje të rendit kushtetues”.
Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti ka akuzuar opozitën për bllokim të procesit, duke theksuar se ajo nuk ka ofruar asnjë alternativë konkrete për zgjedhjen e presidentit.
Edhe organizatat e shoqërisë civile kanë ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e procesit.
Sipas tyre: mungesa e kuorumit minimal prej 80 deputetësh, procedurat e ndjekura gjatë votimit dhe ndryshimi i kandidatëve gjatë procesit mund të përbëjnë shkelje të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit.
Ndërkohë, seanca e sotme pritet të tregojë nëse palët politike do të arrijnë kompromis për zgjedhjen e presidentit, apo vendi do të përballet me një tjetër cikël zgjedhor. Në mungesë të një marrëveshjeje, Kosova hyn automatikisht në zgjedhje të reja parlamentare, duke shtuar pasigurinë politike në vend.
Lini një Përgjigje