
Teksa nesër mbaron afati për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovë, dy nga partitë opozitare kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në proces.
Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se nuk do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës për diskutim lidhur me zgjedhjen e presidentit. Tahiri tha se diskutime serioze për presidentin ishin dashur të bëhen në tre muaj.
“AAK nuk ka qenë e ftuar në këto diskutime, nuk ka marrë pjesë dhe rrjedhimisht ne nuk marrim pjesë në një diskutim që sërish është një performancë publike”, tha Tahiri.
Ai shtoi se diskutimi i sotëm pritet të jetë "monolog”, duke iu referuar partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Edhe Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, përsëriti qëndrimin se partia e tij ka përmbyllur kontributin për çështjen e presidentit. Ai tha se të gjitha propozimet e bëra nga partia e tij “nuk janë marrë në konsideratë” nga LVV-ja.
“Ju uroj sukses në zgjedhjen e presidentit me 90 deputetët” e tjerë të Kuvendit”, tha Hamza pas përfundimit të seancës së rregullt plenare.
I pyetur nëse do të votonte dikë nga familja e heroit të Kosovës, Adem Jashari, Hamza tha se në këtë drejtim qëndrimi i partisë nuk ka ndryshuarm, teksa paraprakisht kishte shprehur mbështetje për ndonjë kandidat nga kjo familje.
Nëse LDK-ja propozon ish-presidenten Vjosa Osmani, Hamza tha se ajo mund të zgjidhet me votat e LDK-së dhe LVV-së. Hamza tha se me LVV-në diskutimet asnjëherë nuk kanë arritur deri te emrat e përveçëm. Ai nuk tregoi nëse deputetët e partisë së tij do të marrin pjesë në seancën për presidentin.
Lini një Përgjigje