
“Jeta politike e zonjës Osmani, dinjiteti, përgjegjësia me të cilën ajo ka përfaqësuar qytetarët në secilën pozitë institucionale dhe së fundmi mbi 300 mijë vota të qytetarëve të Kosovës… Vjosa Osmani duhet të jetë presidente e re e Republikës së Kosovës”, deklaronte në vitin 2021 kryeministri Albin Kurti.
Më 4 prill 2021, Kuvendi i Kosovës e zgjodhi Vjosa Osmanin presidente me 71 vota, për një mandat pesëvjeçar, si kandidate e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Kuorumi u sigurua edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndonëse kjo e fundit ndodhej në opozitë.
Megjithatë, marrëdhënia politike mes Osmanit dhe Kurtit ndryshoi me kalimin e viteve. Me afrimin e fundit të mandatit, Osmani shprehu publikisht ambicien për një mandat të dytë, por këtë herë nuk mori mbështetjen e Vetëvendosjes, e cila nuk e propozoi fare si kandidate.
Kryeministri Kurti e justifikoi këtë qëndrim me mungesën e votave të nevojshme në Kuvend, duke argumentuar se Osmani nuk do të arrinte të siguronte 80 votat e domosdoshme në fazat e para të votimit. Në vend të saj, Vetëvendosje propozoi emra të tjerë, si Glauk Konjufca dhe Fatime Kollçaku.
Seanca e 5 marsit, që përbënte edhe afatin e fundit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, dështoi për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita braktisi sallën. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e shpalli seancën të mbyllur, por jo të përfunduar.
Një ditë më pas, më 6 mars, Osmani dekretoi shpërndarjen e Kuvendit, duke argumentuar se përfaqësuesit “vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje”. Ajo theksoi se “po kryej detyrimin kushtetues… është fatkeqësi e madhe që deputetët nuk zgjodhën interesin e Kosovës”.
Megjithatë, rreth një muaj më vonë, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi këtë dekret, duke e cilësuar pa efekt juridik dhe duke caktuar 28 prillin si afatin përfundimtar për zgjedhjen e presidentit.
Përpjekjet për marrëveshje mes partive nuk sollën rezultat. Kryeministri Kurti akuzoi opozitën për bllokimin e procesit, ndërsa më pas propozoi që ajo të sillte tre emra për një president konsensual.
Kjo ofertë u refuzua nga Partia Demokratike e Kosovës. Kryetari i saj, Bedri Hamza, deklaroi se “ajo që pamë nuk ishte reflektim, por ndryshim i formës së manipulimit”, duke shtuar se Kurti “po kërkon nënshtrim, jo bashkëpunim”.
Nga ana tjetër, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, la të hapur mundësinë e një marrëveshjeje politike, duke deklaruar se “mund të jetë edhe Vjosa Osmani” si kandidate, por duke kërkuar më parë sigurimin e votave dhe një dakordësi mes palëve.
Ndërkohë, zëra brenda Vetëvendosjes, si Arbër Zaimi, kanë vënë në pikëpyetje aftësinë e Osmanit për të unifikuar spektrin politik.
Sipas Kushtetutës, presidenti zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para, ose me 61 vota në raundin e tretë, por me kushtin që në sallë të jenë të paktën 80 deputetë. Kjo e bën të domosdoshme një marrëveshje mes partive, pasi asnjëra nuk i ka e vetme votat e nevojshme.
Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit është 28 prilli. Nëse deri atëherë nuk arrihet një zgjidhje, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Ndërkohë, më 4 prill, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, mori detyrën si ushtruese e presidentes, në përputhje me Kushtetutën./Klan Kosova
Lini një Përgjigje