TAGS-AT E JAVËS

Kosova25 Prill 2026, 19:41

Vjosa Osmani sërish në krye të shtetit? Abdixhiku takim me ish-presidenten

Shkruar nga Pamfleti

Vjosa Osmani sërish në krye të shtetit? Abdixhiku takim me

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim me ish-presidenten Vjosa Osmani, teksa përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri mbeten ende të paqarta.

Takimi vjen në vazhdën e zhvillimeve të fundit politike, përfshirë propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për tre emra të mundshëm konsensualë për postin e presidentit, drejtuar PDK-së dhe LDK-së. Sipas burimeve të afërta me LDK-në, në takim nga ky subjekt ka marrë pjesë vetëm Abdixhiku.

Paralelisht me këtë lëvizje, Abdixhiku i është drejtuar publikisht kryeministrit Albin Kurti, duke kërkuar sqarim për drejtimin e negociatave politike dhe mundësinë e një marrëveshjeje mes partive.

Në një postim në Facebook, ai ka ngritur dilemë të drejtpërdrejtë mbi strategjinë e qeverisë: nëse synohet bashkëpunim me LDK-në apo sigurimi i 90 votave në bashkëpunim me PDK-në. Abdixhiku ka theksuar se çdo marrëveshje kërkon komunikim të drejtpërdrejtë dhe jo deklarime në distancë.

“I nderuar Kryeministër Kurti, Meqë po komunikojmë në distancë, Ju lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë. Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne”, u shpreh LDK.

Në të njëjtin reagim, ai ka bërë të qartë se LDK-ja synon të marrë përgjegjësinë për propozimin e kandidatit për president, duke mos përjashtuar edhe emrin e Vjosa Osmanit nëse sigurohen votat e nevojshme në Kuvend.

“Presidentin e propozojmë ne me plot përgjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të", shkruan Abdixhiku.

Zhvillimet politike vijnë në një kohë kur afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit po afrohet. Sipas Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës duhet të zgjedhë kreun e ri të shtetit deri më 28 prill.

Lini një Përgjigje