TAGS-AT E JAVËS

Kosova24 Prill 2026, 20:24

Kurti kërkon shmangien e zgjedhjeve të reja, thirrja e fundit ndaj opozitës për Presidentin

Shkruar nga Pamfleti
Kurti kërkon shmangien e zgjedhjeve të reja, thirrja e fundit ndaj
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës thotë se procesi i ri zgjedhor nuk do ta zgjidhte problemin e kuorumit në Kuvend

Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka bërë thirrje partive politike që të shmangin zgjedhjet e reja dhe të gjejnë zgjidhje për zgjedhjen e Presidentit.

Në një deklaratë drejtuar qytetarëve, Kurti tha se Legjislatura e 10-të ka zgjedhur kryesinë e Kuvendit dhe Qeverinë, ndaj duhet të përmbyllë edhe procesin për kreun e shtetit.

Sipas tij, zgjedhjet e reja do të krijonin kosto të panevojshme për buxhetin dhe do të vononin funksionimin e institucioneve. Kurti përmendi se vetëm organizimi i tyre do t’i kushtonte Kosovës të paktën 10 milionë euro.

Ai e lidhi bllokadën me kuorumin prej 80 deputetësh që kërkohet për zgjedhjen e Presidentit. Kurti tha se një proces i ri zgjedhor nuk garanton zgjidhje, pasi rezultati mund të dalë i ngjashëm me përbërjen aktuale të Kuvendit.

Kreu i VV-së deklaroi se partia e tij ka fituar shumicën e votave dhe të mandateve. Ai tha se LVV ka marrë 51.1% të votave dhe 57 deputetë, ndërsa shumica parlamentare arrin në 66 deputetë.

Kurti tha se opozitës i janë ofruar disa mundësi për të dalë nga bllokada. Ai përmendi ofertën për LDK-në për bashkëqeverisje, me postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri, si dhe propozimin që kjo parti të marrë drejtimin e Kuvendit. Sipas tij, të dyja janë refuzuar.

Për PDK-në, Kurti tha se ka propozuar që kjo parti të marrë postin e kryetarit të Kuvendit, duke përmendur Bedri Hamzën ose Vlora Çitakun si mundësi, me ndryshim të pozitës së kryetares aktuale të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Ai shtoi se opozita nuk ka paraqitur asnjë emër për kandidat konsensual për President, as në takime dhe as publikisht.

Kurti kërkoi respektimin e rezultatit zgjedhor dhe vazhdimin e punës së institucioneve pa shkuar në zgjedhje të përsëritura.

 

kosova kurti opozita

Lini një Përgjigje