Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë vendimin për tre të akuzuarit në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë, të ndodhur në shtator 2023.
Trupi gjykues dënoi Vlladimir Tolliç dhe Bllagoje Spasojeviç me burgim të përjetshëm. Dushan Maksimoviç u dënua me 30 vjet heqje lirie. Vendimi vjen pas më shumë se dy vjetësh nga ngjarja.
Sulmi i armatosur çoi në vrasjen e rreshterit të policisë Afrim Bunjaku, 50 vjeç, nga Vushtrria. Gjatë përplasjes u plagos edhe polici Alban Rashiti, ndërsa u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.
Prokuroria Speciale ka ngritur më herët aktakuzë edhe ndaj 42 personave të tjerë në mungesë. Në këtë listë përfshihet edhe Millan Radoiçiq, i cili nuk është dorëzuar nga autoritetet serbe.
Kërkesa për gjykim në mungesë ndaj të pandehurve të tjerë nuk u pranua nga gjykata, e cila e cilësoi atë të pabazuar.
Procesi për pjesën tjetër të të akuzuarve vijon në procedura të ndara.
Më 24 shtator 2023 një grup i armatosur serbësh me armatim të rëndë, fillimisht bllokoi urën në fshatin Banjskë të Zveçanit, e më pas sulmoi policët që shkuan në vendngjarje për ta hequr kamionin nga rruga.
Gjatë sulmit të serbëve të armatosur u vra efektivi Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë policë. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, synimi ishte që ta ndanin veriun nga Kosova.
Lini një Përgjigje