TAGS-AT E JAVËS

Kosova23 Prill 2026, 16:37

Vdekja e Rexhep Qoses, Kosova shpall të premten ditë zie

Shkruar nga Pamfleti
Vdekja e Rexhep Qoses, Kosova shpall të premten ditë zie
Rexhep Qosja

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se e premtja, 24 prill 2026, është shpallur ditë zie shtetërore në Kosovë, në nderim të jetës dhe kontributit të akademikut Rexhep Qosja, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare.

Në reagimin e saj publik, Haxhiu theksoi se ky vendim është një shprehje respekti dhe mirënjohjeje për figurën e Qosjes, duke e cilësuar atë si një nga personalitetet më të rëndësishme që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet.

Me shpalljen e ditës së zisë shtetërore, nderojmë një figurë të shquar që la gjurmë të thella në mendimin dhe kulturën kombëtare”, u shpreh ajo.

Rexhep Qosja ishte një nga figurat më të njohura të letërsisë, kritikës letrare dhe mendimit intelektual shqiptar. Ai lindi më 25 qershor 1936 në Vuthaj (Mal i Zi), ndërsa veprimtarinë e tij më të rëndësishme akademike dhe kulturore e zhvilloi në Kosovë.

Qosja kreu studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku më pas u angazhua si pedagog dhe studiues. Ai u bë një nga emrat kryesorë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, ku kontribuoi për dekada në fushën e studimeve letrare dhe historike. Rexhep Qosja njihet veçanërisht për veprat e tij në kritikën letrare, historinë e letërsisë dhe eseistikën. Ai ka analizuar në mënyrë të thelluar zhvillimin e letërsisë shqipe dhe figurat kryesore të saj. Ndër veprat më të njohura janë studimet për rilindasit dhe autorët modernë shqiptarë, si dhe analiza mbi identitetin kulturor shqiptar.

Në letërsinë artistike, ai ka lënë gjurmë me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, një nga veprat më të rëndësishme të prozës shqipe bashkëkohore.

qosja rexhep

Lini një Përgjigje