
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se qytetarët do të ndëshkojnë politikisht ata që po e shtyjnë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Në një deklaratë publike, ajo theksoi nevojën për reflektim nga partitë opozitare lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, për të cilin afati përfundon të martën e ardhshme.
“Është e rëndësishme që palët të reflektojnë… kushdo që mendon që nëse shkojmë në zgjedhje mund të ndryshojë diçka nga ky rezultat, mendoj që e ka gabim… qytetarët dinë të ndëshkojnë”, u shpreh Haxhiu, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Ajo shtoi se ende ka hapësirë për arritjen e një konsensusi për presidentin e ri dhe e cilësoi të gabuar çdo përfundim të parakohshëm për dështimin e këtij procesi. Sipas saj, vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të jashtëzakonshme, ndërsa situata aktuale ngjan me bllokadën politike të vitit të kaluar.
“Ende jemi në pritje të një konsensusi… Vendit nuk i duhen zgjedhjet e jashtëzakonshme”, theksoi ajo.
Nga ana tjetër, opozita ka reaguar ndaj qëndrimeve të mazhorancës. Në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), qasja e pushtetit është cilësuar si nënshtruese, ndërsa nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është bërë e ditur se takimet mes liderëve të tri partive kryesore nuk kanë pasur si qëllim zgjidhjen e ngërçit politik.
“Është e rëndësishme që palët të reflektojnë, të kihet parasysh mesazhi që kanë dhënë qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe kushdo që mendon që nëse shkojmë në zgjedhje mund të ndryshojë diçka nga ky rezultat, mendoj që e ka gabim për faktin që qytetarët e kanë dëshmuar që dinë të vlerësojnë situatat me të cilat përballemi dhe jemi përballur gjatë kësaj kohe dhe dinë të ndëshkojnë”, ka thënë Haxhiu. “Ende jemi në pritje të një konsensusi sa i përket çështjes së presidentit të ardhshëm. Mendoj që është gabim që një javë para përmbylljes së afatit për president të dilet me përfundimin se kjo çështje është e mbyllur, sepse është dashur që e gjithë kjo javë të shfrytëzohet në drejtim të arritjes së konsensusit. Vendit nuk i duhen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Situata aktuale po ngjason me atë të vitit të kaluar, kur nuk kishte vullnet për të dalë nga bllokada e krijuar”, u shpreh Haxhiu ndër të tjera.
Lini një Përgjigje