
Kosova shpalli ditën e sotme ditë zie kombëtare në nderim të akademikut Rexhep Qosja, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 90-vjeçare.
Në Kuvendin e Kosovës po mbahen homazhet në nderim të tij, ndërsa qytetarët kanë mundësinë të shprehin ngushëllimet në Librin e Zisë, i vendosur për këtë qëllim.
Një ditë më parë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, shpalli 24 prillin ditë zie kombëtare, duke theksuar kontributin e jashtëzakonshëm të akademikut.
“Me këtë vendim, shteti ynë shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet”, shprehej Haxhiu në deklaratë.
Akademiku Rexhep Qosja u varros ditën e enjte në një ceremoni familjare, pa praninë e politikanëve dhe mediave, në përputhje me amanetin e tij.
Gjatë mbledhjes komemorative të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, kryeministri Albin Kurti vlerësoi lart figurën dhe veprën e tij, duke e cilësuar një zë të fuqishëm intelektual dhe kombëtar.
“Studimet e tij për rilindasit, sidomos vepra “Porosia e madhe”, kushtuar poetit tonë kombëtar, Naim Frashëri, apo studimet për Asdrenin e të tjera, ndihmuan shumë në formimin kombëtar të shqiptarëve, nën ish-Jugosllavi. Kur nisi shpërbërja e Jugosllavisë, dhe u shtua shtypja mbi shqiptarët, Rexhep Qosja u bë zëri më i spikatur akademik e intelektual shqiptar. Ai denoncoi në shtypin jugosllav e ndërkombëtar gënjeshtrat e propagandën e atyre intelektualëve serb që do të shkruanin e përkrahnin memorandumin famkeq të akademisë serbe nga viti 1986, dhe që përgatitën terrenin për gjenocidet që Serbia do t’i ndërmerrte në vitet e ’90-ta”, deklaroi Kurti.
Sipas kryeministrit, Qosja ishte një figurë që i dha zë kauzës kombëtare dhe frymëzoi breza të tërë.
“Që u bënë edhe demonstrata gjithpopullore e madje posaçërisht kur dukej që vala e tyre kishte rënë”, deklaroi kryeministri Kurti.
Lini një Përgjigje