TAGS-AT E JAVËS

Kosova24 Prill 2026, 09:04

Sulmi në Banjskë ku mbeti i vrarë Afrim Bunjaku, jepet sot vendimi për tre të akuzuarit

Shkruar nga Pamfleti

Sulmi në Banjskë ku mbeti i vrarë Afrim Bunjaku, jepet sot

Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të shpallë pasditen e së premtes vendimin në rastin “Banjska”, ndaj të akuzuarve Bllagoje Spasojeviç, Vladimir Toliç dhe Dushan Maksimoviç, të dyshuar për përfshirje në sulmin e armatosur në Zveçan më 24 shtator 2023, ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Tre të pandehurit janë pjesë e një grupi prej 45 personash ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë rreth një vit pas ngjarjes në veri të Kosovës. Në këtë listë përfshihet edhe Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili sipas aktakuzës konsiderohet si drejtues i grupit të cilësuar si terrorist.

Gjykata ka vendosur të veçojë procedurën penale për Spasojeviçin, Toliçin dhe Maksimoviçin, të cilët ndodhen në paraburgim që nga shtatori i vitit 2023. Ndërkohë, për 42 të akuzuarit e tjerë, institucioni ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për zhvillimin e gjykimit në mungesë, duke e cilësuar atë si të pabazuar.

Të tre të pandehurit kanë hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se nuk kishin për qëllim vrasjen e askujt dhe as realizimin e ndonjë plani për bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, siç pretendohet në aktakuzë.

Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e ka marrë publikisht Milan Radoiçiç, i cili aktualisht ndodhet në arrati, së bashku me 41 të akuzuar të tjerë. Prokuroria kishte kërkuar që ndaj tyre të zhvillohej gjykim në mungesë, por kjo kërkesë nuk u pranua nga gjykata.

Në total, 42 persona përballen me akuza për terrorizëm dhe vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa ndaj Radoiçiçit rëndojnë edhe akuza shtesë për financim të terrorizmit dhe pastrim parash.

Lini një Përgjigje