TAGS-AT E JAVËS

Kosova25 Prill 2026, 09:54

Zgjedhja e Presidentit të ri, Kurti bën hapa pas; LVV tërhiqet nga gara, kërkohen 3 kandidatë nga opozita

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhja e Presidentit të ri, Kurti bën hapa pas; LVV tërhiqet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

LVV bëri të ditur se është e gatshme të tërheqë kandidatët e saj aktualë për këtë post zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, si dhe deputeten Fatmire Mulhaxha-Kollçaku nëse PDK dhe LDK paraqesin tre emrat e kërkuar

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, ka njoftuar ditën e sotme se u ka bërë thirrje dy partive më të mëdha opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), që të propozojnë së bashku tre kandidatë për postin e presidentit të ardhshëm të Kosovës, me synim shmangien e zgjedhjeve të parakohshme.

Kjo thirrje, e cila sipas LVV-së është e vlefshme deri të dielën në mbrëmje, vjen në një moment kur afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon të martën.

Në reagimin e publikuar në Facebook, LVV bëri të ditur se është e gatshme të tërheqë kandidatët e saj aktualë për këtë post zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, si dhe deputeten Fatmire Mulhaxha-Kollçaku nëse PDK dhe LDK paraqesin tre emrat e kërkuar. Sipas partisë, ky vendim është marrë gjatë mbledhjes së Kryesisë të mbajtur të premten në mbrëmje.

“Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të”, shkroi LVV.

Partia në pushtet theksoi se kandidatët duhet të jenë “figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike”.

“Një zgjidhje duhet të gjendet, sepse ajo është e mundshme. Duhet të përpiqemi dhe angazhohemi së bashku, sepse është detyrë e jona që buron nga përgjegjësia që na e kanë bartur qytetarët e Republikës së Kosovës”, shkroi LVV-ja.

Postimi i plotë

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti mbrëmë mbledhjen e Kryesisë, në të cilën u diskutuan zhvillimet politike si dhe veprimet e qëndrimet e nevojshme në shërbim të interesit publik e shtetëror dhe të mirës së përgjithshme e të përbashkët.

Në situatën e krijuar rreth zgjedhjes së Presidentit dhe dëmin e madh që do t’i shkaktonte vendit një proces i panevojshëm dhe i përsëritur zgjedhor, Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë ka ndërmarrë një sërë hapash konkretë për të gjetur zgjidhje.

Pavarësisht propozimeve tona të shumta dhe gjeneroze, përgjigjja që kemi marrë ka qenë vetëm refuzimi.

Në këto rrethana, për të shmangur një proces tjetër zgjedhor që nuk zgjidh gjë, dhe për të ruajtur stabilitetin institucional, Lëvizja VETËVENDOSJE! ndërmerr edhe një hap tjetër me një propozim të ri, konkret dhe përbashkues.

Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të.

Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike.

Për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura Zëvendës-kryeministri dhe Ministri i punëve të jashtme dhe diasporës Glauk Konjufca e deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Koha është e kufizuar. Për shkak të afateve kushtetuese, presim përgjigje nga subjektet opozitare deri të dielën në mbrëmje.

Një zgjidhje duhet të gjendet, sepse ajo është e mundshme. Duhet të përpiqemi dhe angazhohemi së bashku, sepse është detyrë e jona që buron nga përgjegjësia që na e kanë bartur qytetarët e Republikës së Kosovës.

Kriza politike në Kosovë:

Që prej 4 prillit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka marrë postin e ushtrueses së detyrës së presidentit, pasi ish-presidentes Vjosa Osmani i skadoi mandati pesëvjeçar.

LVV-ja e Kurtit më 5 mars propozoi dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku. Në mungesë kuorumi, procesi është bllokuar.

Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani prezantoi një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani synonte një mandat të dytë, por nuk siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim. Dekreti u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria.

Gjykata më pas doli me vendim duke thënë se dekreti i ish-presidentes nuk ka pasur asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit, në të kundërtën shteti shkon në zgjedhje që duhen të mbahen brenda 45 ditësh.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, 57 vende në Kuvend, por ato janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit. Për të finalizuar këtë proces nevojiten të paktën 80 vota, nga 120 vende që ka Kuvendi i Kosovës.

kurti zgjedhja e presidentit të ri lvv tërhiqet nga gara

Lini një Përgjigje