TAGS-AT E JAVËS

Kosova25 Prill 2026, 15:32

Abdixhiku: Gati të propozojmë Vjosa Osmanin për një mandat të dytë, Kurti të tregojë a i ka 66 vota për të

Shkruar nga Pamfleti

Abdixhiku: Gati të propozojmë Vjosa Osmanin për një mandat

Debati për zgjedhjen e presidentit në Kosovë ka marrë një kthesë të re, mes deklaratave të LDK-së dhe një propozimi të fundit nga Lëvizja Vetëvendosje për tejkalimin e ngërçit politik.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku u shpreh se për zgjedhjen e presidentit kërkohet bashkëpunim më i gjerë politik, pasi sipas tij, asnjë parti nuk mund të sigurojë e vetme numrin e nevojshëm të votave. Ai theksoi se LDK mbështet një marrëveshje politike, por kundërshton një skenar ku posti i presidentit i takon vetëm Vetëvendosjes.

Abdixhiku njoftoi se LDK është e gatshme të propozojë një emër të vetëm për këtë post, duke lënë të hapur edhe mundësinë e përfshirjes së Vjosa Osmanit në diskutime. Megjithatë, ai kërkoi qartësi nga Vetëvendosje lidhur me mbështetjen reale në Kuvend.

“LDK mund të propozojë edhe emra, s’kemi nevojë me i propozu tre, e propozojmë një. Mundet me qenë edhe Vjosa Osmani, por le të na tregon ai a i ka 66 vota për këtë president, por njehërë duhet të vendosë a dëshiron marrëveshje me ne, apo 90 vota e 90 vota me ne nuk i ka”, deklaroi Abdixhiku para gazetarëve.

Nga ana tjetër, më 25 prill 2026, Lëvizja Vetëvendosje doli me një propozim të ri për zgjidhjen e çështjes së presidentit, duke sugjeruar që LDK dhe PDK të propozojnë së bashku tre kandidatë. Sipas këtij propozimi, kandidatët duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar dhe jashtë skenës aktuale politike.

Ky propozim vjen pas një takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe Abdixhikut, i cili përfundoi pa marrëveshje. Kurti deklaroi se i kishte ofruar LDK-së përfshirje në qeveri dhe disa poste të rëndësishme, përfshirë edhe një riorganizim të drejtimit të Kuvendit.

“Nën shpjegimin që Vetëvendosja nuk duhet t’i ketë të tri pozitat e larta shtetërore, atëherë ne bëmë një ofertë tjetër për LDK-në. Kjo është që pozita e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarit të Kuvendit të pësojnë një rrokadë, ashtu që ose nënkryetari i LDK-së ose dikush tjetër për të cilin përcaktohet LDK-ja, zë pozitën e kryetarit të Kuvendit, ndërkaq kryetarja aktuale e Kuvendit dhe ushtruesja e presidentit Albulena Haxhiu do të bëhej nënkryetare e Kuvendit… Më shumë se aq nuk kam çka i ofrojë", tha Kurti.

Ndërsa palët vijojnë me qëndrime të ndryshme, mbetet e paqartë nëse do të arrihet një marrëveshje politike apo vendi do të përballet me zgjedhje të reja.

Lini një Përgjigje