Afati kushtetues drejt fundit në Kosovë, partitë nën presion për marrëveshje për kreun e shtetit
Kosova ndodhet vetëm një ditë larg afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse edhe më 28 prill nuk arrihet një marrëveshje dhe nuk votohet kreu i shtetit, Kuvendi pritet të shpërndahet, duke e çuar vendin në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, Lëvizja Vetëvendosje u ka kërkuar Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që të propozojnë tre kandidatë për postin e presidentit, si një zgjidhje që synon konsensusin.
Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ka propozuar kryeministrit Albin Kurti emrin e Vjosa Osmanit, duke kërkuar garanci për sigurimin e 66 votave të nevojshme në Kuvend.
Megjithatë, sipas shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, deri më tani nuk është paraqitur asnjë propozim zyrtar nga opozita, përtej deklaratave publike. Ajo ka ripërsëritur thirrjen që partitë opozitare të propozojnë tre kandidatë të pranueshëm dhe jashtë politikës aktive.
LDK ka shprehur gatishmëri për të mbështetur Vjosa Osmanin, nëse sigurohet shumica prej 66 votash, ndërsa PDK ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në votim nëse mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit.
Ndërkohë, Vetëvendosje këmbëngul që kandidati për president të jetë një figurë jashtë politikës aktuale, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka dalë ende me një qëndrim përfundimtar, duke pritur zhvillimet.
Afati i vendosur nga kryeministri Kurti për PDK-në dhe LDK-në për të propozuar tre emra ka kaluar pa rezultat, ndërsa më herët bisedimet mes tij dhe liderëve opozitarë, Bedri Hamzës dhe Lumir Abdixhikut, kanë dështuar. Në këto negociata, Kurti kishte ofruar poste qeveritare për LDK-në dhe PDK-në, përfshirë pozicionin e kryeparlamentarit dhe poste ministrore, por pa arritur marrëveshje.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para të votimit, apo me 61 vota në raundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet. Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti, madje as ajo në pushtet e Kurtit me 57 deputetë nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende. Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit skadon nesër, më 28 prill dhe nëse deri atëherë nuk zgjidhet një president, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Lini një Përgjigje