TAGS-AT E JAVËS

Kosova27 Prill 2026, 08:32

Skadon oferta e Kurtit, nesër afati i fundit për Presidentin

Shkruar nga Pamfleti
Skadon oferta e Kurtit, nesër afati i fundit për Presidentin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Nesër është dita e fundit e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.

Deri tani partitë politike nuk kanë gjetur konsensus rreth një emri që do të siguronte pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në procesin e votimit për president.

Lëvizja Vetëvendosje të shtunën doli me një propozim të ri, duke kërkuar nga PDK dhe LDK tre emra jopartiakë dhe njërin prej tyre të zgjedhin President.

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti u dha afat deri të dielën mbrëma kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës e atij të LDK-së, Lumir Abdixhikut për të propozuar tri emra për postin e presidentit.

Por, ky afat tashmë ka kaluar dhe këto dy parti opozitare nuk kanë propozuar tre emra.

Oferta e re e Kurtit vjen pas dështimit të bisedimeve mes Kurtit dhe liderëve opozitarë, Bedri Hamzës së PDK-së dhe Lumir Abdixhikut të LDK-së, të cilët nuk i kishin pranuar propozimet e kryeministrit. Kurti i kishte ofruar LDK-së postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri, ndërsa në një ofertë të dytë postin e kryeparlamentarit. PDK-së, ai ia kishte ofruar postin e kryeparlamentarit po ashtu.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet. Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti - madje as ajo në pushtet e Kurtit me 57 deputetë - nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende. Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit skadon më 28 prill dhe nëse deri atëherë nuk zgjidhet një president, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Lini një Përgjigje