
Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës ka rinisur pak minuta më parë, ndërkohë që sërish opozita ka vendosur të bojkotojë procesin.
Pas dorëheqjes së kandidaturave të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe deputetes së LVV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, janë propozuar dy emra të tjerë.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka ftuar deputetët në sallë, teksa si kandidate janë propozuar Feride Rushiti e Hatixhe Hoxha.
Rushiti është drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës. Rushiti dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ishin nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.
Hatixhe Hoxha është doktorante në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje nga viti 2010. Ajo ka qenë edhe dy mandate deputete.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku, ka thënë se është joserioze mënyra se si është thirrur seanca për zgjedhjen e presidentit.
Lini një Përgjigje