
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, afati për zgjedhjen e presidentit të ri përfundon nesër, në të kundërt vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja...
Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës për diskutimin rreth zgjedhjes së presidentit. Në seancë janë prezent vetëm deputetët e Lëvizje Vetëvendosje, ndërsa opozita ka bojkotuar seancën siç edhe kishte paralajmëruar.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit, kritikoi opozitën për mungesën në sallë, duke theksuar se secili deputet obligohet nga Kushtetuesja të jetë prezent, përveç në rastet kur merr leje.
“Në një demokraci parlamentare mund të ketë dallime të thella politike, përplasje, debate madje edhe mosmarrëveshje të plota. Por mendoj që ka një vijë që nuk duhet kaluar dhe kjo vijë është detyrimi ynë, i të gjithëve për ta respektuar rendin kushtetues. Mungesa e opozitës është një veprim që prodhon pasoja direkte, bllokimin e një procedure kushtetuese dhe shtyrjen e vendit drejt një krize të panevojshme”, tha ajo, duke cituar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese se deputetët obligohen të qëndrojnë në sallë gjatë procesit dhe nevojiten 2/3 e votave.
Pas kryetares së Kuvendit, fjalën e mori kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili tha se dështimi në zgjedhjen e presidentit e çon vendin në zgjedhje të reja.
“Sot kemi mbërritur në fund të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës. Zgjedhja e presidentit është vendimtare për vazhdimin e funksionimit me kapacitete të plota të qeverisë, të Kuvendit dhe të institucionit të presidentit. Dështimi në zgjedhjen e presidentit e çon vendin në zgjedhje të reja”, tha ai.
Më tej, Kurti shtoi se Vetëvendosje nuk ka ikur nga përgjegjësia asnjëherë pavarësisht akuzave të bëra nga opozita.
“Akuzat se VV ikën nga përgjegjësia nuk janë të vërteta. Nuk ka pasur as në mars të vitit 2021, as në shkurt të këtij viti, asnjë vonesë, asnjë ngurrim dhe asnjë shmangie në marrjen e përgjegjësive për të qeverisur. Kjo është e matshme dhe e verifikueshme”, tha Kurti.
Kurti u shprehur se ka pasur gatishmërinë dhe interesim për të gjetur zgjidhje lidhur me këtë çështje. Ai foli për kompromisin, duke thënë se duhet të jetë demokratik dhe jo pazar për të rehatuar figura politike.
“Marrëveshja politike dhe kompromisi mes partive politike për koalicion qeverisës është gjëja më normale në demokraci. Por, kompromisi në një demokraci, duhet të jetë demokratik. Kompromisi nuk është pazar që lidhet për të rehatuar figura politike. Kompromisi i vërtetë, ai i cili u shërbën qytetarëve ndërtohet mbi dy shtylla të panegocioueshme, së pari mbi respektin për rezultatin e zjedhjeve, pra respektin e vullnetit të qytetarëve dhe peshës politike që ata i kanë dhënë secilit subjekt subjekt politik dhe së dyti mbi përgjegjësinë institucionale dhe demokratike e cila rrjedhë nga angazhimi publik dhe nga fakti se je përfaqësues i zgjedhur i popullit”, tha ai.
Kurti përmendi edhe rezultatin e zgjedhjeve, duke thënë se ai duhet të repsketohet dhe se ky nuk është nënshtrim. Fjala “nënshtrim”, sipas kryeministrit është keqpërdorur nga opozita, duke thënë se kompromision e kupton si nënshtrim të fituesit të zgjedhjeve.
“Rezultati i zgjedhjeve nuk mjafton vetëm të pranohet, rezultati i zgjedhjeve duhet të respektohet dhe respektimi i rezultatit nuk është nënshtrim, një term tjetër i keqpërdorur nga opozita në këtë sallë e jashtë saj. Nëse ka një nënshtrim, ai është ndaj verdiktit të qytetarëve, të cilët me votë kanë përcaktuar peshën e cilit subjekt politik, duke përcaktuar edhe sjelljen parlamentare. Pikërisht për shkak të keqkuptimit të fjalës “nënshtrim”, opozita kompromisin e kupton si nënshtrim të fituesit të zgjedhjeve. Kompromisi është marrëveshje që reflekton realitetin e mandatit zgjedhor duke u dhënë të tjerëve atë që u takon sipas peshës së tyre elektorale”, u shpreh Kurti.
Para nisjes së seancës së jashtëzakonshme, Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se nuk do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës për diskutim lidhur me zgjedhjen e presidentit. Tahiri tha se diskutime serioze për presidentin duhet të ishin bërë gjatë muajve të shkuar.
“AAK nuk ka qenë e ftuar në këto diskutime, nuk ka marrë pjesë dhe rrjedhimisht ne nuk marrim pjesë në një diskutim që sërish është një performancë publike”, tha Tahiri.
Ai shtoi se diskutimi i sotëm pritet të jetë "monolog”, duke iu referuar partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Edhe Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, përsëriti qëndrimin se partia e tij ka përmbyllur kontributin për çështjen e presidentit. Ai tha se të gjitha propozimet e bëra nga partia e tij “nuk janë marrë në konsideratë” nga LVV-ja.
“Ju uroj sukses në zgjedhjen e presidentit me 90 deputetët” e tjerë të Kuvendit”, tha Hamza pas përfundimit të seancës së rregullt plenare.
Kujtojmë se sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, afati për zgjedhjen e presidentit të ri përfundon nesër, në të kundërt vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.
C'po ju duhet presidenti.? Lereni kete cirk palacosh qe s'po mbaron prej dy vjetesh. Deri sa keni Binin e Haxhiun flijeni mendjen, se blokime te tilla do keni perhere.