
Qeveria e Kosovës ka mbajtur seancë solemne me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
Kryeministri Albin Kurti theksoi kontributin e ish-përfaqësuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Kurti deklaroi se nuk mund të përkujtohet shpallja e Pavarësisë pa u përmendur roli i atyre që, sipas tij, kontribuuan në lirinë dhe ndërtimin e shtetit.
“Nuk mund të mos kujtojmë se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë së Republikës sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë”, u shpreh Kurti.
Në fjalën e tij, kryeministri tha gjithashtu se, megjithëse shteti dhe institucionet janë të reja, themelet e identitetit kombëtar janë të lashta.
“Vërtetë shteti, pavarësia dhe Kushtetuta janë të reja, por gjuha, kultura dhe populli ynë janë të lashtë. Shteti ynë është ndërtuar dhe qëndron mbi vlerat e lirisë e demokracisë, barazisë e drejtësisë, prosperitetit dhe përfshirjes. Secili qytetar, pavarësisht gjuhës e etnisë, fesë apo prejardhjes, është i barabartë para ligjit”, deklaroi ai.
Kurti shtoi se ky përvjetor e gjen vendin në fillim të një mandati të ri qeverisës, me sfida dhe angazhime përpara, duke bërë thirrje për përkushtim të përbashkët në forcimin e shtetit.
“Mësues e studentë, mjekë e punëtorë, gra e burra, vajza e djem, të gjithë duhet të japim maksimumin tonë. Le t’i bëjmë krenar duke punuar e forcuar shtetin. Ne si kabinet qeveritar jemi vetëm instrument në realizimin e këtyre qëllimeve”, u shpreh kryeministri.
Lini një Përgjigje