TAGS-AT E JAVËS

Kosova17 Shkurt 2026, 08:15

18-vjetori i Pavarësisë, sakrica shekullore për shtetin e Kosovës; politika nderon heronjtë

Shkruar nga Pamfleti

18-vjetori i Pavarësisë, sakrica shekullore për shtetin e

Para Qeverisë është bërë ngritja solemne e flamurit të Republikës së Kosovës në 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Kosova shënon sot 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, me aktivitete zyrtare të organizuara në Prishtinë.

Para Qeverisë së Kosovës u mbajt ceremonia e ngritjes solemne të flamurit shtetëror, ku morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

18-vjetori i Pavarësisë, sakrica shekullore për shtetin e

Me këtë rast, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi qytetarët për 18-vjetorin e Pavarësisë, duke theksuar sakrificën e gjatë historike për arritjen e shtetësisë. Ajo shtoi se përvjetori i Pavarësisë është edhe moment reflektimi për të ardhmen e vendit.

“Ju uroj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për 18 vjetorin e pavarësisë së shtetit. Është një ditë ku të gjithë bëhemi bashkë për të festuar këtë përvjetor të shtetit tonë të ri, që po hyn në moshë të pjekur.

Sakrifica për të arritur deri këtu ka qenë shekullore, në fakt kanë qenë breza të tërë që kanë dhënë gjithçka që sot ne ta gëzojmë shtetin e Kosovës. Shprehim respektin më të thellë për rrugën, kontributin dhe vizionin e presidentin historik Ibrahim Rugova, për sakrificën e familjes Jashari në krye me komandantin Adem Jashari dhe për mijëra dëshmorë, heronj të UÇK-së, për të gjithë ata që dhanë jetën dhe bënë sakrificë në mënyrë që ne sot ta gëzojmë shtetin tonë”, tha presidentja Osmani.

Gjithashtu, edhe kryeministri Albin Kurti përcolli një mesazh me rastin e Pavarësisë, duke vlerësuar zhvillimet e shtetit ndër vite. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e angazhimit të përbashkët për të ardhmen e vendit.

“Kosova po rritet. Po rritet numri i viteve të pavarësisë, numri i njohjeve të shtetësisë, ekonomia e vendit, po rritet mirëqenia e qytetarëve e fuqia e shtetit.

Para 18 vjetëve lindi Pavarësia e Kosovës, por lindi e pjekur sepse shumë breza të veprimtarëve, mbarë populli ynë me gjenerata kanë punuar, kontribuar e sakrifikuar që ne të jemi të lirë e të pavarur.

Sot festojmë dhe njëkohësisht nderojmë rezistencën paqësore, kryengritjet e armatosura të cilat kulmuan me luftën e drejtë të UÇK-së. Gëzuar pavarësia dhe kremtofshim të gjithë bashkë për jetë e mot”, ka thënë Kurti.

Ndërsa kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar qytetarët me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e kujtesës dhe përgjegjësisë institucionale. Haxhiu tha se kjo ditë shërben për të nderuar të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e vendit.

“Sot dhe çdo ditë tjetër kujtojmë me nderim dhe respekt të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësinë që sot gëzojmë. Sot nderojmë edhe figurat e larta që kontribuuan në rrethana dhe periudha të ndryshme për çlirimin, për lirinë dhe pavarësinë. Pavarësinë e nderojmë nëse punojmë me institucione funksionale, me integritet dhe profesionalizëm”, u shpreh ajo.

Sipas kryeparlamentares, përvjetori i Pavarësisë është një moment reflektimi për të forcuar institucionet dhe për të avancuar standardet demokratike në vend.

Lini një Përgjigje