Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke i cilësuar ato si padrejtësi ndaj luftës çlirimtare dhe historisë së shtetformimit të Kosovës.
Gjatë fjalës së saj, Osmani vuri në dukje rëndësinë historike të lirisë së Kosovës dhe sakrificën e atyre që udhëhoqën përpjekjet për çlirim.
Osmani theksoi se, edhe sot, shumë kombe në botë nuk e kanë arritur shtetin e tyre dhe jetojnë të shtypur, ndërsa e cilësoi shtetin e Kosovës si një arritje të madhe historike për kombin shqiptar.
“Sot në botë ka ende dhjetëra kombe që nuk e kanë arritur shtetin e tyre, madje për nga numri janë më të mëdhenj se populli i Kosovës, por janë të okupuar, të shtypur dhe në kërkim të lirisë dhe shtetit.
Titani i letërsisë sonë, Ismail Kadare, jo rastësisht shtetin e Kosovës e quajti triumf të lirisë dhe të gjithë kombit shqiptar. Ky triumf u bë i mundur sepse në kohët më të errëta, Kosova pati bij e bija që udhëhoqën luftën tonë çlirimtare dhe i dolën zot atdheut, duke dëshmuar se liria ishte më e shtrenjtë se vet jeta.
Këtë histori, këtë të vërtetë dhe këtë triumf ne duhet ta mbrojmë me krenari në çdo vend të botës, sepse UÇK-ja është ideali më i fuqishëm i ndërtuar nga shqiptarët ndër shekuj. Por për ta mbrojtur të vërtetën, duhet edhe ta shkruajmë atë.
Ky libër i autorit Ahmet Shala, ‘Kur heshtja flet’, flet jo vetëm për luftën tonë, por edhe për gjykimin e padrejtë që po bëhet ndaj proceseve tona jetike, ndaj lirisë dhe pavarësisë sonë dhe përpjekjeve për çlirim që u ndërmorën në shërbim të lirisë dhe mbijetesës së popullit tonë”, tha Osmani.
Lini një Përgjigje