Në Gjykatën Speciale në Hagë ka vijuar paraqitja e deklaratave përmbyllëse në procesin ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Në këtë fazë, mbrojtja e Jakup Krasniqit u përqendrua te pretendimet e Prokurorisë për vendet e ndalimit të përfshira në aktakuzë.
Avokati Aidan Ellis deklaroi se organi i akuzës nuk ka sjellë prova që e lidhin klientin e tij me këto lokacione.
“Të hënën dëgjuam Prokurorinë kur tha se ka pasur më shumë se 50 vende ndalimi për të cilat janë ngritur akuza në aktakuzë. Për shumicën e këtyre vendeve nuk ka asnjë provë që Jakup Krasniqi t’i ketë vizituar këto vende në kohën konkrete apo të ketë pasur dijeni për ndonjë krim që mund të jetë kryer atje.
Nuk është dhënë asnjë dëshmi, asnjë provë që zotëri Krasniqi të ketë qenë në këto vende, përfshirë Drenocin, Budakovën, Jeshkovëm,. Dobratin, Qirezin, Bubël, Zllashë, Verbanin edhe disa vende në Prizren, Gllanasellën, Novosellë e Ulët, Gjilanin, Suharekën, Novobërdën dhe të tjera”, tha ai.
Sipas mbrojtjes, Prokuroria nuk ka shpjeguar as mënyrën se si synon të provojë një lidhje të tillë.
“As nuk e ka shpjeguar Prokuroria se si mund ta vërtetojë lidhjen mes personit në fjalë dhe vizitave në vendin e ndalimit. Edhe të hënën kur Prokuroria theksoi disa vende të tjera, kjo nuk do të thotë se aty ka qenë zotëri Krasniqi”, u shpreh avokati.
Seancat përmbyllëse në Hagë po vijojnë me paraqitjen e argumenteve të palëve.
Lini një Përgjigje