Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se mospërfshirja e buxhetit të Komunës së Prishtinës në Projektligjin për Ndarjet Buxhetore të Republikës së Kosovës për vitin 2026 është shkelje kushtetues.
Në një konferencë për media, Rama tha se përjashtimi është bërë pa arsyetim, duke e cilësuar si neglizhencë administrative dhe shkelje të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues. Sipas tij, buxheti i Komunës së Prishtinës është dokumenti i vetëm financiar që i jep Kryeqytetit mundësinë për të ushtruar kompetencat e tij kushtetuese.
“Çdo ndërhyrje apo përjashtim arbitrar është shkelje flagrante e autonomisë lokale dhe e ligjeve për financat publike. Pasojat nuk janë teorike. Ato janë reale dhe të menjëhershme: bllokohen shërbimet publike për qytetarët, ndalen projektet kapitale, paralizohet funksionimi institucional i Kryeqytetit”, ka deklaruar Rama.
Ai theksoi se asnjë institucion nuk ka mandat ta vendosë Prishtinën jashtë sistemit buxhetor të Republikës së Kosovës. Sipas tij, Komuna i është drejtuar zyrtarisht Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere të Kuvendit të Kosovës, si dhe kryetares dhe Kryesisë së Kuvendit, me kërkesë për përfshirjen e menjëhershme dhe të plotë të buxhetit të miratuar të Komunës para votimit final të Ligjit për Buxhetin 2026.
Po ashtu, Rama bëri të ditur se i janë drejtuar edhe Ministrisë së Financave me kërkesë për të paraqitur me shkrim bazën ligjore të mospërfshirjes, për të korrigjuar menjëherë, siç e quajti ai, këtë shkelje dhe për të dhënë përgjigje brenda afatit ligjor.
Sipas tij, në rast se Ligji për Buxhetin 2026 miratohet pa përfshirë buxhetin e miratuar të Kryeqytetit, çështja do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Rama paralajmëroi gjithashtu se do të kërkohet përgjegjësi nga autoritetet e nivelit qendror që, sipas tij, duke keqpërdorur detyrën dhe autorizimet ligjore, synojnë të sabotojnë Kryeqytetin.
“Ligji nuk është çështje vullneti”, ka përfunduar ai.
Lini një Përgjigje