Kuvendi i Kosovës ka miratuar pesë marrëveshje ndërkombëtare që hapin rrugën për rreth 1.1 miliardë euro investime dhe grante. Pas votimit, Presidentja Vjosa Osmani përgëzoi deputetët për vendimin.
Ajo deklaroi se fondet do të përkthehen në mundësi shtesë për të rinjtë, mbështetje për familjet dhe investime për bizneset. Sipas saj, marrëveshjet parashikojnë ndërhyrje edhe në fusha si shëndetësia, arsimi dhe sundimi i ligjit.
Presidentja theksoi se efektet e këtyre investimeve do të ndihen në jetën e përditshme të qytetarëve. Ajo e cilësoi votimin si një hap konkret për zhvillimin e vendit.
Osmani: Përgëzoj deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat hapin rrugë për rreth 1.1 miliardë euro investime dhe grante për vendin tonë.
Këto marrëveshje sjellin më shumë mundësi për të rinjtë, më shumë mbështetje për familjet, më shumë investime për bizneset, si dhe më shumë cilësi në shëndetësi, arsim, sundim të ligjit e më shumë zhvillim. Janë investime që do të ndihen drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve tanë.
Kur veprojmë bashkë, Kosova gjithmonë fiton. Dhe sot, Kosova fitoi.
Lini një Përgjigje