Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK që po gjykohen në Hagë.
90 deputetë votuan pro, një kundër dhe nuk pati abstenime. Kundër votoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë në votim. Kjo parti kërkoi përfshirjen e një pike shtesë në tekstin e rezolutës, por propozuesi, Partia Demokratike e Kosovës, e kundërshtoi ndryshimin. Lista Serbe u largua nga salla para votimit.
Rezoluta i kërkon Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar që procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK të zhvillohet sipas standardeve evropiane për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Teksti thekson nevojën për respektimin e Kushtetutës së Kosovës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Roli i Ombudspersonit dhe financimi
Rezoluta kërkon që Ombudspersoni pranë Dhomave të Specializuara të ushtrojë kompetencat për të trajtuar shkeljet e mundshme gjatë procesit gjyqësor.
Po ashtu, Kuvendi u bën thirrje vendeve që financojnë Gjykatën Speciale të sigurojnë që fondet të mbështesin një institucion që zbaton standardet evropiane të drejtësisë dhe të kërkojnë llogaridhënie për ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit të procesit.
Me miratimin e kësaj rezolute, Kuvendi formalizoi qëndrimin politik në raport me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë.
Lini një Përgjigje