Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në një konferencë për media, Haradinaj deklaroi se ai po ashtu nuk do të kandidojë për kryetar të AAK-së as në Kuvendin e partisë.
Haradinaj tha se vendimi i tij vjen edhe si pasojë e rezultateve të zgjedhjeve. AAK doli dobët në zgjedhjet e dhjetorit, pasi mori 6 deputetë.
“Procesi zgjedhor fillon nga 20 shkurti. Është risi ose ndryshim sepse nuk do të kandidoj për kryetar të Aleancës në këto zgjedhje të brendshme. I kam treguar edhe disa arsye, ua shpjegoj edhe ju. Një arsye është koha e gjatë, arsyeja e dytë është rezultati zgjedhor. Po ashtu është edhe besim që kam në kuadrin e Aleancës”, tha ai në një deklaratë per mediat pas takimit të Këshillit të Përgjithshëm të Aleancës.
AAK u krijua në vitin 2000. Në fillim, AAK-ja, ishte një koalicion i pesë partive atdhetare. Në vitin 2001, dy nga partitë u tërhoqën nga koalicioni.
Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001, për zgjedhjet komunale në vitin 2002, AAK-ja u regjistrua si partie politike e pavarur, dhe filloi të funksionojë si parti e vetme e jo si një koalicion. Shumë nga anëtarët e partisë janë ish-pjesëtarë të UÇK-së, dhe atdhetarë. Që prej themelimit në krye të saj ka qenë Ramush Haradinaj.
Lini një Përgjigje