TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Qershor 2026, 16:58

PE flet qartë: Korrupsioni vazhdon të frenojë Shqipërinë, nuk ka mbyllje negociatash pa reforma cilësore

Shkruar nga Pamfleti
PE flet qartë: Korrupsioni vazhdon të frenojë
Parlamenti Europian

Eurodeputetët mbështesin objektivin për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027, por kërkojnë reforma më të thella, forcimin e SPAK-ut dhe ndalimin e ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura...

Parlamenti Europian ka miratuar me një shumicë të gjerë raportin për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke e cilësuar vendin si një nga kandidatët më të avancuar për anëtarësim. Megjithatë, eurodeputetët paralajmërojnë se korrupsioni, polarizimi politik dhe dobësitë në sundimin e ligjit mbeten pengesa serioze që mund të ndikojnë në ritmin e integrimit.

Raporti u miratua me 483 vota pro, 103 kundër dhe 70 abstenime. Në të vlerësohen reformat e ndërmarra nga Shqipëria gjatë viteve të fundit, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, por theksohet se zbatimi i plotë i legjislacionit dhe konsolidimi i institucioneve mbeten vendimtarë për anëtarësimin në BE.

Parlamenti Europian e konsideron realist objektivin e Shqipërisë për të mbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027, por nënvizon se cilësia e reformave do të përcaktojë afatin real të pranimit në familjen europiane.

Një nga mesazhet më të forta të raportit lidhet me korrupsionin. Eurodeputetët shprehin shqetësim për rënien e Shqipërisë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, nga vendi i 80-të në vitin 2024 në vendin e 91-të në vitin 2025. Sipas raportit, korrupsioni vazhdon të mbetet një problem serioz, veçanërisht në nivelet e larta të administratës dhe politikës.

Në këtë kuadër, Parlamenti Europian vlerëson punën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke kërkuar garantimin e pavarësisë së saj, burime të mjaftueshme financiare dhe operative, si dhe shmangien e çdo kufizimi që mund të cenojë kompetencat hetimore të institucionit.

Raporti evidenton gjithashtu se drejtësia shqiptare ka bërë përparime të rëndësishme falë procesit të vettingut, por mbetet e ekspozuar ndaj presioneve politike dhe problemeve të trashëguara si numri i lartë i dosjeve të prapambetura, vonesat procedurale dhe zbatimi jo gjithmonë efektiv i vendimeve gjyqësore.

Një kapitull i veçantë i kushtohet çështjeve mjedisore. Një amendament i propozuar nga eurodeputetët e Grupit të Gjelbërve kërkon vendosjen e një moratoriumi të menjëhershëm për lejet dhe ndërtimet e reja në zonat e mbrojtura, deri në harmonizimin e plotë të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian. Dokumenti kërkon gjithashtu vlerësime të plota mjedisore dhe përfshirje transparente të komuniteteve lokale, ekspertëve dhe organizatave të shoqërisë civile.

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, deklaroi se vendi mbetet në krye të vendeve aspirante për anëtarësim në BE. Sipas tij, integrimi nuk duhet të matet vetëm me kriteret ekonomike apo sundimin e ligjit, por edhe me ndërtimin e një sistemi social funksional, respektimin e të drejtave të punëtorëve dhe forcimin e mekanizmave të mbrojtjes sociale.

Përveç drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit, eurodeputetët i kërkojnë Shqipërisë të përshpejtojë luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe trafikut të drogës, si dhe të rrisë bashkëpunimin me agjencitë europiane të sigurisë, Europol dhe Eurojust.

Mes vlerësimeve pozitive, raporti përmend hyrjen e Shqipërisë në sistemin europian të pagesave SEPA dhe strategjinë kombëtare kundër pastrimit të parave, duke i konsideruar këto hapa si të rëndësishëm për afrimin e mëtejshëm me standardet e Bashkimit Europian.

Mesazhi i përgjithshëm i Parlamentit Europian është i qartë: Shqipëria po ecën me ritëm të shpejtë drejt anëtarësimit në BE, por rruga mbetet e kushtëzuar nga rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, forcimin e shtetit ligjor dhe garantimin e institucioneve të pavarura. /Pamfleti

pe integrimi

Lini një Përgjigje