TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Qershor 2026, 16:00

“Të zgjerohen kategoritë përfituese”, Tabaku paraqet propozimet e reja për amnistinë

Shkruar nga Pamfleti
“Të zgjerohen kategoritë përfituese”, Tabaku paraqet
Jorida Tabaku

Kuvendi pritet të votojë në seancën e së enjtes projektligjin për “Dhënie amnistie”, prej të cilës pritet të përfitojnë me qindra persona që vuajnë dënimet në burg.

Nga amnistia përjashtohen personat që janë subjekt i SPAK dhe GJKKO-së, por edhe ata që janë të dënuar për vepra të rënda penale, si vrasje, krime seksuale etj.

Ndërkohë një ditë para se Kuvendi të miratojë projektligjin, deputetja demokrate Jorida Tabaku ka paraqitur disa amendamente në draftin e propozuar. Përmes këtyre amendimeve, Tabaku ndryshimin e afateve kohore të zbatimit të amnistisë, si dhe rritjen e masës së përfitimit për kategoritë vulnerabël. 

Por në amendamentet e saj, Tabaku kërkon ndryshime thelbësore që lidhen me mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe trajtimin e diferencuar të grave dhe të miturve të dënuar. 

Tabaku, në relacionin që shoqëron amendamentet, vë theksin te shqetësimet e vazhdueshme të organizatave vendase dhe ndërkombëtare për sulmet ndaj gazetarëve dhe përdorimin e padive penale për shpifje dhe fyerje si një formë censure (të njohura si padi SLAPP). Ajo propozon heqjen e neneve 119 ("Fyerja") dhe 120 ("Shpifja") nga lista e kritereve ndaluese të ligjit të amnistisë. Sipas amendamentit, personat nën hetim, në gjykim apo të dënuar për këto vepra duhet të përfshihen në amnisti, me përjashtim të subjekteve që hetohen apo gjykohen nga SPAK dhe GJKKO.

“Të zgjerohen kategoritë përfituese”, Tabaku paraqet

Gjithashtu deputetja demokrate kërkon që data kufizuese e parashikuar në projektligj (31.12.2025) të zëvendësohet me datën 18.06.2026. Ky afrim i datës me ditën e shqyrtimit në Kuvend synon të zgjerojë gamën e personave përfitues që plotësojnë kriteret ligjore deri në momentin e fundit. 

Në amendamentin e tretë, deputetja e PD-së kërkon rritjen e masës së uljes së dënimit për të dënuarit: 

Për gratë dhe të miturit: Propozohet që periudha e uljes së dënimit të rritet në 2 vjet (nga 1 vit e gjysmë që parashikon drafti aktual). 

Për burrat: Propozohet që ulja e dënimit të bëhet 1 vit e gjysmë (nga 1 vit që është aktualisht në projektligj). 

Nuk dihet nëse amendamentet e propozuara nga Tabaku do të integrohen në draftin final dhe do të miratohen nga mazhoranca e Edi Ramës.

amnistia tabaku propozime

Lini një Përgjigje