Avokatja e Rexhep Selimit, Furtuna Sheremeti, deklaroi se nuk ekzistojnë prova që mbështesin fajësinë e klientit të saj për asnjë nga pikat e aktakuzës. Ajo kërkoi që Selimi të shpallet i pafajshëm, duke theksuar se, sipas saj, nuk mund të diskutohet për masë dënimi në mungesë të provave.
Sheremeti reagoi edhe ndaj kërkesës së Prokurorisë për dënimin me 45 vjet burg për secilin prej të akuzuarve, duke e cilësuar atë si të paprecedent dhe joproporcionale me rrethanat e çështjes.
“Një dënim 45-vjeçar, praktikisht është burgim i përjetshëm. Nuk është proporcionale”, tha ajo.
“Nuk ka prova që të mbështesin fajësinë në asnjë prej pikave të aktakuzës për zotin Selimi. Duhet të shpallet i pafajshëm dhe nuk mund të flitet për masë dënimi. Megjithatë, nëse trupi gjykues arrin në masën e dënimit, pala do të flasë me kërkesën e jashtëzakonshme të Prokurorisë. ZPS kërkon 45 vjet për secilin të akuzuar dhe kërkon një masë dënimi të përbashkët duke trajtuar totalitetin e pretenduar të sjelljes si një justifikim. Kërkesa e Prokurorisë është shproporcionale dhe e paprecedent në rrethana të kësaj çështje që nuk është provuar”, tha Sheremeti.
Lini një Përgjigje