Në Dhomat e Specializuara në Hagë, gjatë së premtes vazhdojnë deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes për Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Procesi ka hyrë në ditën e pestë.
Një ditë më parë, mbrojtja e Kadri Veselit përfundoi paraqitjen e saj. Avokati i tij kërkoi lirimin, duke argumentuar se Prokuroria nuk ka paraqitur prova dhe as dëshmitarë që e lidhin me akuzat. Sipas mbrojtjes, pretendimi se komunikatat e UÇK-së janë mbështetur në informacione të siguruara prej Veselit në cilësinë e drejtuesit të shërbimit informativ nuk qëndron.
Pasdite, mbrojtja e Rexhep Selimit nisi fjalën përmbyllëse. Avokati Geoffrey Roberts deklaroi se klienti i tij nuk ka përgjegjësi penale dhe kundërshtoi ekzistencën e një Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale, siç e paraqet Prokuroria. Ai vuri në pikëpyetje edhe besueshmërinë e dëshmitarëve të thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe argumentoi se veprimtaria e Selimit lidhej me luftën për çlirim, jo me qëllime pushteti.
Mbrojtja e Hashim Thaçit e ka mbyllur më herët paraqitjen e saj, duke kundërshtuar akuzat dhe duke paralajmëruar pasoja ligjore në rast dënimi. Në anën tjetër, Prokuroria ka kërkuar që të katër të akuzuarit të dënohen me nga 45 vjet burgim.
Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, çështja do t’i kalojë për vendim trupit gjykues. Gjykatësit kanë afat tre muaj për të shpallur vendimin ose për të kërkuar shtyrje të afatit.
Lini një Përgjigje