Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, e ka cilësuar si të pajustifikuar dhe disproporcionale kërkesën e Prokurorisë për dënim me nga 45 vjet burg për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një intervistë për KosovaPress, Bosch deklaroi se, sipas vlerësimit të tij, nuk ka prova që mbështesin pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për krime lufte ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ai u shpreh se pret nga trupi gjykues që, në mungesë provash të forta, të shpallë të pafajshëm të akuzuarit dhe t’i lirojë ata.
“Kjo është absurde sepse është e barabartë me dënim të përjetshëm. Nëse qëndrojnë 45 vite brenda, ata nuk mbijetojnë dot, do të vdesin në burg. Pra është dënim i përjetshëm. Siç e thashë, është një kërkesë absurde. Por është absurde edhe sepse ka shumë pak prova. Është edhe më e çuditshme të kërkosh diçka të tillë kur ka pak prova.
Edhe nëse UÇK-ja do të ishte organizatë kriminale dhe Thaçi do të ishte kreu e do të jepte udhëzime – gjë që është provuar se nuk është e vërtetë – përsëri 45 vite është shumë. Sidoqoftë, unë duhet t’u besoj gjykatësve. Ajo që i frikësohem është se, nëse gjykatësit e bëjnë punën e tyre siç duhet (i lirojnë), prokuroria mund të apelojë kundër lirimit, që do të thotë se procesi do të vazhdojë edhe për vite e vite të tëra”, thekson ish-ambasadori i Holandës në Kosovë.
Bosch foli edhe për rolin e trupit gjykues, të udhëhequr nga gjyqtari Çarls Smith, duke theksuar nevojën për paanshmëri dhe objektivitet në vendimmarrje.
“Gjykatësit duhet të jenë neutralë. Ata nuk janë e njëjta gjë me prokurorinë. Ndaj shpresoj dhe duhet të besoj se gjykatësit janë vërtet objektivë. Mendoj se nëse janë objektivë, do të thonë se prokuroria ka një rast shumë të dobët. Sipas mendimit tim, ata do ta hedhin poshtë të gjithë çështjen duke thënë:
“Dëgjoni, është një rast shumë i dobët” dhe pastaj ose i lironi për mungesë provash të forta, ose thoni se nuk kanë të bëjnë fare me këtë. Do të habitesha dhe mendoj se gjykata do ta komprometonte veten… dua të them gjykatësit, natyrisht nuk duhet të ushtroj presion mbi ta, por unë besoj se janë njerëz të ndershëm. Në atë rast, bazuar në atë që kam parë, ata nuk mund t’i dënojnë këta njerëz. Nuk mundet. Do të ishte shumë e çuditshme nëse do të shkonin pas prokurorisë”, shton ai për KosovaPress.
Sa i përket protestës së paralajmëruar më 17 shkurt në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, Bosch u shpreh në mbështetje të organizimit të saj, duke theksuar se ajo duhet të jetë paqësore.
“Protestat janë perfekte për sa kohë nuk janë të dhunshme. Nuk më pëlqejnë protestat e dhunshme si ajo që patët në Tiranë javën e kaluar, por protestat janë në rregull. Në këtë rast ka vend për protestë, sepse ta quash UÇK-në organizatë kriminale është fyerje për vendin tuaj. Është fyerje”, theksoi Bosch.
Lini një Përgjigje