Burime të njohura me marrëdhëniet mes Teheranit dhe Hezbollahut thonë se Irani planifikon të rrisë mbështetjen financiare për aleatin e tij libanez pas zhbllokimit të fondeve në kuadër të memorandumit të mirëkuptimit me Shtetet e Bashkuara...
Një memorandum mirëkuptimi mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, që pritet të nënshkruhet të premten, mund të sjellë përfitime të rëndësishme politike dhe financiare për Hezbollahun në Liban, sipas një raporti të agjencisë Reuters.
Katër burime të njohura me marrëdhëniet ndërmjet Teheranit dhe grupit shiit libanez thanë se Irani ka premtuar rritje të mbështetjes financiare për Hezbollahun sapo të ketë qasje në fonde të zhbllokuara si pjesë e marrëveshjes me Uashingtonin.
Sipas ndërmjetësit, Pakistanit, memorandumi synon ndalimin e armiqësive në të gjitha frontet, megjithëse detajet e plota të marrëveshjes nuk janë bërë publike. Ndalimi i luftimeve përfshin edhe Libanin, ku përplasjet mes Hezbollahut dhe Izraelit janë përshkallëzuar paralelisht me tensionet më të gjera mes Iranit dhe SHBA-së.
Izraeli i ka shkaktuar humbje të mëdha Hezbollahut gjatë luftës së vitit 2024, ndërsa ka kundërshtuar publikisht çdo lehtësim të sanksioneve ndaj Iranit. Një rritje e financimit iranian mund ta ndihmojë grupin të rikuperojë një pjesë të kapaciteteve të humbura gjatë konfliktit.
Dy diplomatë rajonalë, të informuar nga autoritetet iraniane, thanë se Teherani i ka garantuar Hezbollahut se do të përfitojë fonde shtesë pas zhbllokimit të aseteve iraniane. Një burim i lartë libanez konfirmoi se Irani ka premtuar ndihmë financiare sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa një burim tjetër tha se mbështetja pritet të rritet. Asnjëri prej tyre nuk dha shifra konkrete.
Zyra mediatike e Hezbollahut deklaroi për Reuters se Irani e ka bërë publikisht të qartë mbështetjen e tij për grupin dhe se kjo ndihmë vazhdon. Në përgjigje të pyetjeve nëse Hezbollahu do të përfitonte drejtpërdrejt nga fondet e zhbllokuara, grupi tha se Teherani do të vazhdojë të mbështesë Libanin “pavarësisht detajeve të rikthimit të fondeve të tij”.
Nga ana tjetër, një zyrtar amerikan tha se Uashingtoni i ka bërë të qartë Iranit se fondet nuk do të zhbllokohen nëse përdoren për organizata që SHBA-ja i konsideron terroriste. Sipas tij, marrëveshja krijon gjithashtu stimuj që Irani të frenojë grupet aleate në rajon.
Departamenti Amerikan i Thesarit ka vlerësuar se Irani i transferoi Hezbollahut rreth 1 miliard dollarë gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2025, pavarësisht sanksioneve të ashpra amerikane.
Lufta ka pasur pasoja të rënda për Libanin. Sipas autoriteteve izraelite, operacionet ushtarake kanë synuar infrastrukturën e Hezbollahut në jug të vendit, ndërsa mijëra persona janë zhvendosur dhe shumë fshatra janë shkatërruar.
Analistët vlerësojnë se një injektim i madh fondesh nga Irani do t’i mundësonte Hezbollahut të ndihmojë mbështetësit e tij dhe të forcojë aleancat politike brenda Libanit. Mohanad Hage Ali nga Carnegie Middle East Center e cilësoi një skenar të tillë si “ndryshim të lojës” për organizatën.
Çështja e çarmatimit të Hezbollahut mbetet e pazgjidhur. Izraeli kërkon shpërbërjen e strukturave ushtarake të grupit, ndërsa Hezbollahu e përjashton këtë mundësi. Eksperti Andreas Krieg nga King’s College London vlerëson se një zgjidhje më realiste mund të jetë demilitarizimi i jugut të Libanit në këmbim të tërheqjes së forcave izraelite.
Ndërkohë, Irani vazhdon të kërkojë largimin e trupave izraelite nga territori libanez. Ministri i Jashtëm iranian deklaroi të martën se prania e vazhdueshme ushtarake e Izraelit në Liban do të konsiderohej shkelje e memorandumit të mirëkuptimit.
Sipas Reuters, zhvillimet e fundit mund të forcojnë narrativën e Hezbollahut si forcë “rezistence”, duke e bërë më të vështirë për qeverinë libaneze të kufizojë ndikimin e tij politik dhe ushtarak në të ardhmen. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje