TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Qershor 2026, 11:01

Armëpushim i përhershëm dhe fund i sanksioneve, zbulohen 14 pikat e marrëveshjes SHBA-Iran

Shkruar nga Pamfleti
Armëpushim i përhershëm dhe fund i sanksioneve, zbulohen 14 pikat
Foto Ilustrim

Sipas draftit, SHBA-ja, Irani dhe aleatët e tyre do të shpallnin fundin e menjëhershëm dhe të përhershëm të luftimeve në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, duke u zotuar se nuk do të përdorin më forcën apo kërcënimin me forcë kundër njëri-tjetrit.

Një draft-marrëveshje me 14 pika, që sipas Bloomberg po qarkullon në negociatat jozyrtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, mund të shërbejë si baza për përfundimin e konfliktit aktual dhe nisjen e një procesi të ri diplomatik mes dy vendeve. Dokumenti parashikon armëpushim të menjëhershëm, heqje graduale të sanksioneve, rikthim të normalitetit në tregtinë detare dhe angazhime të ndërsjella për çështjen bërthamore. Sipas mediave ndërkombëtare, memorandumi synon të krijojë kushtet për një marrëveshje përfundimtare që do të rregullonte marrëdhëniet mes palëve pas përfundimit të luftës.

Sipas draftit, SHBA-ja, Irani dhe aleatët e tyre do të shpallnin fundin e menjëhershëm dhe të përhershëm të luftimeve në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, duke u zotuar se nuk do të përdorin më forcën apo kërcënimin me forcë kundër njëri-tjetrit.

Dokumenti parashikon gjithashtu respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të të dy vendeve, si dhe mosndërhyrjen në çështjet e brendshme.

Brenda 60 ditëve nga nënshkrimi i memorandumit, palët do të duhet të arrijnë një marrëveshje përfundimtare, afat që mund të zgjatet vetëm me pëlqimin e ndërsjellë.

Një nga pikat më të rëndësishme lidhet me angazhimin e SHBA-së për heqjen e bllokadës detare ndaj Iranit dhe rikthimin e qarkullimit normal të anijeve drejt porteve iraniane brenda 30 ditësh. Në të njëjtën periudhë, Uashingtoni do të duhet të reduktojë praninë e tij ushtarake në rajon.

Nga ana tjetër, Irani do të marrë përsipër rikthimin e trafikut tregtar detar në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit në nivelet para konfliktit, si dhe eliminimin e çdo pengese teknike apo rreziku që mund të ndikojë në lundrim.

Drafti parashikon gjithashtu hartimin e një plani të madh rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik për Iranin, me një financim minimal prej 300 miliardë dollarësh, i cili do të mbështetej nga SHBA-ja dhe partnerët e saj rajonalë.

Një tjetër pikë kyçe është heqja graduale e të gjitha sanksioneve ndaj Republikës Islamike, përfshirë ato të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike.

Sa i përket programit bërthamor, Irani rithekson në dokument se nuk synon të prodhojë armë bërthamore. Deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, Teherani do të ngrijë aktivitetet aktuale bërthamore, ndërsa SHBA-ja do të përmbahet nga vendosja e sanksioneve të reja ose rritja e pranisë ushtarake në rajon.

Dokumenti përfshin edhe masa të përkohshme ekonomike, si lejimi i eksporteve iraniane të naftës dhe produkteve petrokimike, si dhe zhbllokimi gradual i fondeve dhe aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit.

Për të garantuar zbatimin e marrëveshjes, parashikohet ngritja e një mekanizmi të posaçëm monitorimi, ndërsa marrëveshja përfundimtare do të duhet të miratohet edhe nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara përmes një rezolute detyruese.

Sipas dokumentit, negociatat për marrëveshjen finale do të nisin pasi të jenë dhënë garanci konkrete për zbatimin e disa prej masave kryesore të parashikuara në memorandum./ Corriere della Sera

 

marreveshja shba-iran

Lini një Përgjigje