TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Qershor 2026, 10:24

Shpërthejnë polemikat në Francë për pronësinë e medias, në qendër të akuzave manjati i modës Bernard Arnault

Shkruar nga Pamfleti

Me një pasuri të vlerësuar nga revista Forbes në rreth 145 miliardë dollarë, Bernard Arnault mbetet figura më e fuqishme ekonomike që zotëron media në Francë.

Shpërthejnë polemikat në Francë për pronësinë
Donald Trump dhe Bernard Arnault në hapjen e një fabrike Louis Vuitton në Teksas. Arnault ishte në inaugurimin e dytë të Trump në janar të vitit të kaluar

Bernard Arnault, pronari i grupit të luksit LVMH dhe një nga njerëzit më të pasur në botë, po përballet me kritika në rritje në Francë pas zgjerimit të ndikimit të tij në sektorin mediatik. Organizatat e gazetarëve dhe mbrojtësit e lirisë së shtypit e akuzojnë se ka krijuar një kontroll pothuajse monopol mbi mediat ekonomike dhe të biznesit në vend.

Debati u intensifikua pasi grupi LVMH bleu revistën javore ekonomike Challenges, një prej publikimeve më të rëndësishme të këtij profili në Francë. Sipas organizatës ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij” (RSF), kjo blerje i jep Arnault një ndikim të paprecedentë mbi informacionin ekonomik në vend.

Përveç Challenges, LVMH kontrollon tashmë gazetën ekonomike Les Echos dhe platformën financiare L’Agefi. Kritikat janë përqendruar te fakti se një pjesë e madhe e informacionit ekonomik në Francë prodhohet tashmë nga media që ndodhen nën të njëjtën pronësi.

“Reporterët pa Kufij” dhe sindikatat e gazetarëve kanë paraqitur ankesa të veçanta pranë institucioneve franceze. Këshilli i Shtetit po shqyrton nëse autoritetet kanë vlerësuar si duhet ndikimin e kësaj përqendrimi mediatik, ndërsa autoriteti francez i konkurrencës po analizon pretendimet se LVMH ka abuzuar me pozitën e tij dominuese në treg.

Arnault, i cili zotëron gjithashtu gazetën Le Parisien dhe revistën e njohur Paris Match, ka deklaruar më parë se investimet e tij në media bëhen “në interes publik”, me qëllim ruajtjen e titujve të rëndësishëm dhe garantimin e mbijetesës së tyre financiare.

Çështja po zhvillohet në një moment delikat për Francën, ndërsa vendi po afrohet drejt zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm. Debati mbi ndikimin e miliarderëve në media është bërë gjithnjë e më i fortë, sidomos për shkak të rolit në rritje të figurave të pasura që kontrollojnë televizione, gazeta dhe shtëpi botuese.

Një tjetër figurë e diskutueshme është Vincent Bolloré, sipërmarrës konservator i afërt me qarqe të së djathtës. Ai kontrollon një perandori mediatike ku përfshihet kanali televiziv CNews dhe është akuzuar nga kritikët se promovon zëra politikë konservatorë dhe nacionalistë. Bolloré i ka hedhur poshtë këto akuza.

Në peizazhin mediatik francez ndikim të konsiderueshëm kanë edhe biznesmenë të tjerë si Rodolphe Saadé, pronar i grupit të transportit detar CMA CGM, si dhe miliarderi çek Daniel Křetínský, i cili po ndërton gradualisht një rrjet mediatik dhe botues në Francë.

Me një pasuri të vlerësuar nga revista Forbes në rreth 145 miliardë dollarë, Bernard Arnault mbetet figura më e fuqishme ekonomike që zotëron media në Francë. Karrierën e tij e ndërtoi duke marrë kontrollin e markës Christian Dior në vitet 1980 dhe më pas duke krijuar grupin LVMH, sot kompania më e madhe e luksit në botë.

Arnault njihet edhe për marrëdhënien e tij të afërt me presidentin amerikan Donald Trump. Ai dhe anëtarë të familjes së tij morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit të mandatit të dytë të Trumpit në vitin 2025. Biznesmeni francez ka kundërshtuar vazhdimisht taksat mbi pasurinë dhe ka paralajmëruar se masa të tilla do të dëmtonin ekonominë franceze.

Në muajt e fundit, Arnault është përfshirë edhe në debatet politike franceze. Mediat raportuan se ai mori pjesë në një darkë me Marine Le Pen, udhëheqëse e së djathtës kombëtare, ndërsa revista Paris Match publikoi një reportazh të gjerë mbi Jordan Bardella, figurën kryesore të së djathtës franceze dhe kandidat potencial për presidencën. Kritikët e kanë interpretuar këtë si pjesë të një strategjie për të përmirësuar imazhin publik të së djathtës para zgjedhjeve.

Brenda mediave të kontrolluara nga LVMH janë shfaqur gjithashtu shqetësime për ruajtjen e pavarësisë editoriale. Gazetarët e Challenges dhe Les Echos kërkojnë garanci që statutet që mbrojnë autonominë e redaksive të mos ndryshohen pas kalimit të pronësisë. Sindikatat paralajmërojnë se pa këto mekanizma ekziston rreziku që orientimi editorial të ndikohet nga interesat e pronarit.

Historiani i medias Alexis Lévrier e përshkroi situatën si një përqendrim të paprecedentë të informacionit ekonomik. Sipas tij, mungesa e reformave ligjore për kufizimin e pronësisë mediatike ka bërë që pushteti ekonomik të fitojë ndikim të madh mbi debatin publik dhe politik në Francë.

Deputetja e Partisë së Gjelbër, Sophie Taillé-Polian, e cila ka punuar për iniciativa ligjore që synojnë mbrojtjen e pluralizmit mediatik, tha se fakti që një sektor kaq i rëndësishëm si shtypi ekonomik kontrollohet nga një prej njerëzve më të pasur në botë ngre pyetje serioze për pavarësinë e informacionit dhe demokracinë franceze.

pronësinë e medias francë manjati i modës bernard arnault

Lini një Përgjigje