Kryeministri flet për rritjen në 4 miliardë euro dhe përfshirjen e pagës së 13-të
Kryeministri Albin Kurti deklaroi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit se Qeveria do ta sjellë projektbuxhetin e vitit 2026 vetëm pasi të paraqesë programin qeveritar.
Ai sqaroi se drafti ishte miratuar në fund të tetorit 2025, por zgjedhjet e parakohshme ndërprenë procedurën parlamentare dhe krijuan një situatë të re politike.
“Ashtu siç e parasheh Ligji për financat publike, brenda vitit 2025, saktësisht më 31 tetor 2025, në mbledhjen e Qeverisë ne e patëm miratuar buxhetin për vitin 2026, i cili është dashur të diskutohej dhe aprovohej në nëntor dhe dhjetor të vitit që lamë pas.
Por, siç e dimë, legjislatura e nëntë përfundoi ashtu si përfundoi; patëm zgjedhje të parakohshme, të lira, të ndershme dhe demokratike. Tash kemi qeveri të re, andaj do të mbajmë një mbledhje të re të Qeverisë në mënyrë që ta sjellim buxhetin e vitit 2026 tek ju, por ai nuk mund të rrijë ashtu siç është, për shkak të përbërjes së re të Kuvendit dhe Qeverisë së re. Zotimet që i kemi dhënë në fushatën e fundit, natyrisht që janë të përmbledhura në ekspozenë që kam bërë më 11 shkurt, kur u rizgjodha kryeministër. Por, para se ajo ekspoze të shndërrohet në buxhet të ri, duhet të vijë tek ju programi qeveritar. Pra, do të ishte jo normale të sillnim buxhet në përputhje me ekspozenë pa e sjellë paraprakisht programin qeveritar. Rendi logjik i gjërave, nga kronologjia, është ky: zotimet në fushatë, ekspozeja e kandidatit për kryeministër, programi i ri qeveritar dhe më pas rishikimi i buxhetit”, tha ai.
Kurti theksoi se projektbuxheti parashikon afro 4 miliardë euro, ku rreth 1 miliard euro dedikohen për investime kapitale. Ai përmendi si ndryshim pagesën e 13-të për sektorin publik dhe kohën e realizimit të saj.
“Në këtë buxhet që kemi prezantuar, natyrisht që kryefjala është shifra prej afër 4 miliardë euro, ku një e katërta, apo rreth 1 miliard euro, janë buxhetuar për investime kapitale. Normalisht, risi por tashmë e paralajmëruar e këtij buxheti është paga e 13-të e sektorit publik, dhe kjo sivjet nuk do të jetë në fund të vitit, por në pranverë”, nënvizoi Kurti.
Duke iu përgjigjur kritikave se buxheti përfaqëson vazhdimësi pa ndryshime, ai argumentoi se rritja ekonomike prej të paktën 4 për qind përbën zhvillim të qëndrueshëm.
“Ne këtu u kritikuam se ky është buxhet i status quo-së. Pjesërisht besoj që u përgjigja me faktin se ne duhet ta sjellim njëherë programin qeveritar dhe më pastaj rishikimin e buxhetit. Por, në anën tjetër, duhet ta pranojmë bashkërisht se nëse dikur stabiliteti ka qenë progres, tash kemi progres stabil. Pra, është njëfarë kalimi cilësor prej stabilitetit si progres te progresi stabil, me ç’rast rritja ekonomike prej së paku 4% natyrisht që është stabile. Një rritje e tillë e qëndrueshme nuk është status quo e keqe”, theksoi ai.
Kryeministri reagoi edhe ndaj pretendimeve se buxheti i Kosovës mbetet në nivel të ulët krahasuar me vendet e tjera evropiane, duke krahasuar shifrat me fillimin e mandatit të tij.
“U tha se ky është buxhet i vendit më të varfër në Evropë. Buxheti është afër 4 miliardë euro. Kur kam marrë detyrën në vitin 2021, buxheti i trashëguar nga qeveria paraprake ka qenë 2.4 miliardë euro, që i bie një rritje prej dy të tretash. Rritja ekonomike, kur ne flasim, është rritje reale dhe jo nominale. Është rritje pasi të hiqet inflacioni. E kush e ka shumë hall inflacionin, ju lutem ta mbështetni ligjin që do të vijë së shpejti për çmimet tavan për produktet bazë. Pra, rritja është reale. Dëshirojmë edhe më shumë dhe më shpejt, por kjo rritje e buxhetit për dy të tretat brenda pesë vjetësh natyrisht që nënkupton se ne jemi të Kosovës dhe e rrisim Kosovën, jo një shtet tjetër. Kosovën e tillë siç e kemi gjetur me buxhet 2.4 miliardë euro në vitin 2021, tash e kemi sjellë në 4 miliardë euro dhe besoj se është një rritje e pamohueshme”, tha Kurti.
Diskutimet për projektbuxhetin pritet të vazhdojnë pas paraqitjes së programit qeveritar.
Lini një Përgjigje