TAGS-AT E JAVËS

Kosova17 Shkurt 2026, 07:22

Kosova feston sot 18 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë

Shkruar nga Pamfleti
Kosova feston sot 18 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë
Kosova feston Pavarësinë

Kosova shënon sot 18 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, duke u bërë shteti më i ri në Europë.

Më 17 shkurt 2008, në orën 15:39, Kuvendi lexoi Deklaratën që e shpalli vendin shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.

Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një kushtetutë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, posaçërisht ashtu siç definohen me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta do të inkorporojë të gjitha parimet relevante të Planit të Ahtisaarit dhe do të miratohet nëpërmjet një procesi demokratik dhe të kujdesshëm”, thuhej në deklaratë.

Kosova feston sot 18 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë
Thaçi duke lexuar deklaratën e Pavarësisë, 17 shkurt 2008

Me këtë akt, Kosova u shpall shtet i pavarur, sovran dhe demokratik.  Deklarata e Pavarësisë u lexua nga Hashim Thaçi, i cili sot përballet me Gjykatën Speciale në Hagë, ndërsa Prokuroria ka kërkuar dënimin me 45 vite burg për një nga ish-drejtuesit e UÇK-së, dhe ish-Presidentin e Kosovës.

Pas shpalljes, shteti i ri nisi procesin e konsolidimit të institucioneve dhe të ndërtimit të strukturave demokratike. Në të njëjtën kohë, vendi siguroi njohje nga shumë shtete mike.

Data e 17 shkurtit mbetet një moment kyç për Kosovën dhe për zhvillimet në rajon. Në këtë përvjetor, institucionet dhe qytetarët organizojnë aktivitete në sheshe dhe hapësira publike, ku vendosin flamuj dhe zhvillojnë ceremoni përkujtimore.

Programi i manifestimeve shtetërore për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Agjenda:  

 7:00 -   Ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës (Oborri i Qeverise) 

7:20 -   Mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës (Ndërtesa e Qeverisë)

7:30 -   Nderime te Monumenti i të Pagjeturve (Sheshi "Ibrahim Rugova")

7:35 -   Homazhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë (Oborri i Presidencës)

8:00 -   Homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova (Varrezat në Velani)

8:10 -   Homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi (Varrezat në Velani)

9:00 -   Homazhe në Kompleksin Memorial "Adem Jashari" në Prekaz (Prekaz)

10:30 - Seancë solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës (Kuvendi i Kosovës)

11:25 - Nderime te Monumenti Heroinat (Rr. Luan Haradinaj)

11:30 - Parakalimi i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës (Rr. Luan Haradinaj)

17:30 - Pritje shtetërore nga Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës

20:00 - Koncert solemn i Filharmonisë së Kosovës (Salla e Kuqe - Pallati i Rinisë)

 

pavaresia e kosoves 18 vjetori fest

Lini një Përgjigje