TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Dhjetor 2024, 19:27

Sanxhaku i Albanistanit dhe Lordi Grenell

Shkruar nga Pamfleti

Sanxhaku i Albanistanit dhe Lordi Grenell

Këtu agallarët ranë në dëshpërim. Kishin mburrur veten aq shumë për afrimitetin me Lordin, saqë kishin marrë përsipër detyra që tani dukeshin qesharake

Në sanxhakun tonë, këtë provincë oksidentale të perandorisë, erdhi lajmi i madh. Prej një viti doli fjala se i madhi Lord Grenell do të bëhej Sekretar Shteti. Agallarët u gëzuan shumë dhe filluan të mburren me afrimitetin e tyre me Lordin.

I pari, më i shkathti, mori me vete një shishe rakie dhe një premtim nga i Gjati për t'ia ndarë haberin personalisht Lordit. Si kontrabandist bidonash që nga vitet ’90, ai e dinte mirë që po e rregullove me "shefin e kufirit", ke kryer punë. Me këtë logjikë, iu turrën Lordit me joshje, propozime dhe biznese të çuditshme.

Lordi, si mjeshtër i vjetër i oksidentit, e shfrytëzoi situatën për të kryer disa punë të veta. Ndërmjetësoi shitjen e një hoteli në Amerikë dhe blerjen e një ishulli pa para në sanxhakun tonë. Rama u kënaq shumë.

Edhe opozita e gjeti këtë zhvillim të gëzueshëm. Investimi tek Lordi ishte i gjithanshëm: nga Bleona e tallavasë deri te eunuku i partisë. Ata priten me padurim fitoren e Trump, duke besuar se çdo gjë do të vinte në vendin e vet. Kur Trump fitoi, menduan se edhe Lord Grenell do të merrte postin e shumëpritur.

Por ja që fati ndryshoi. Trump emëroi Rubion Sekretar Shteti dhe jo Lordin. Agallarët u tronditën. Menjëherë kërkuan konfirmime nga Lordi për të ardhmen e tij. Dhe lajmi tjetër erdhi: Lord Grenell do të bëhej ambasador në Greqi, me një ndikim të gjerë në Ballkan.

Të frymëzuar nga ky zhvillim, agallarët u rikthyen me më shumë përpjekje dhe më shumë "investime" për të forcuar marrëdhëniet me Lordin. Por historia ndryshoi sërish. Në vend të Grenell, Trump emëroi Kimberly Guilfoyle ambasadore në Greqi.

Këtu agallarët ranë në dëshpërim. Kishin mburrur veten aq shumë për afrimitetin me Lordin, saqë kishin marrë përsipër detyra që tani dukeshin qesharake. Ndërkohë, Lord Grenell iu premtoi se për gjashtë muaj do të merrte një superpozicion, duke i lënë të mbërthyer në një pritje të pafundme.

Kështu, agallarët dhe Ambasador Lesho mbetën të zhgënjyer. Me purot e fundit dhe gotat e rakisë, po qajnë hallet duke pritur mrekullinë tjetër që nuk do të vijë. Fundja, një sanxhak nuk ka aftësinë të kuptojë se si funksionon një shtet demokratik./ Pamfleti

Lini një Përgjigje