
Politika shqiptare ka reaguar pas sulmit në Magdeburg të Gjermanisë, ku një makinë hyri në turmën në Tregun e Krishtlindjeve duke lënë pas 2 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.
Kryeministri Edi Rama dënon ashpër aktin barbar teksa shton se solidarizohet me Gjermaninë në këtë moment të dhimbshëm.
“Vërtet i tmerruar nga sulmi terrorist në Magdeburg, duke marrë jetë të pafajshme dhe duke plagosur shumë gjatë festimeve të Tregut të Krishtlindjeve. Shqipëria dënon ashpër këtë akt barbar dhe solidarizohet me Gjermaninë në këtë moment të dhimbshëm", shkruan Rama.
Ministri Igli Hasani ka reaguar gjithashtu lidhur me ngjarjen e rëndë në Magdeburg, duke shprehur tronditjen e tij për këtë lajm në një kohë festive.
"Thellësisht të tronditur nga lajmi për sulmin mizor në Magdeburg, i cili ka lënë dhjetëra familje të shkatërruara gjatë një periudhe që duhej të ishte e gëzueshme. Zemrat tona janë pranë viktimave, familjeve të tyre dhe popullit gjerman gjatë kësaj kohe të vështirë", shkruan Hasani në X.
Ndërkohë ministria e Jashtme e Shqipërisë bën me dije nga raportimet e deritanishme se nuk bëhet fjalë për shtetas shqiptarë të lënduar.
Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pas sulmit terrorist në Gjermani, i cili shprehet se ky akt frikacak dhe i pajutifiksueshëm duhet të dënohet ashpër.
“Sulmi i tmerrshëm ndaj qindra njerëzve paqësorë në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg të Gjermanisë duhet të dënohet në termat më të ashpër si një akt frikacak, jo dinjitoz dhe i pajustifikueshëm.
Shqipëria qëndron me vendosmëri me popullin e Magdeburgut dhe të gjithë Gjermanisë me këtë rast dhe shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin më të thellë me familjet e viktimave”, shprehet Begaj.
Lini një Përgjigje