
Pavarësisht se mungoi në takimin e përbashkët mes dy Kuvendeve shqiptare, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka komentuar deklaratat që u bënë në mbledhjen e mbajtur në Prishtinë.
Nga konferenca javore me median, lideri demokrat i quajti sugjerimet e kryeministri Rama se si Kosova duhet të sillet në dialogun me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si ndërhyrje që në vend të japin zgjidhje kanë efektin e kundërt.
“Çdo ndërhyrje të Shqipërisë në problemin e dialogut Prishtinë-Beograd e konsideroj antikombëtare. E konsideroj absolutisht bllokuese dhe jo nxitëse për zgjidhjet”, tha Berisha.
I pyetur nga A2CNN, pse zgjodhi të mos shkojë personalisht në këtë takim dypalësh, kreu i demokratëve pohoi se udhëtimi i tij në Prishtinë nuk mund të bëhej pa u dënuar nga Kuvendi i Shqipërisë gjenocidi në Kosovë.
“Nuk do shkoja në asnjë rrethanë pa votuar rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë. Pa kërkesë ndjese, vërtet qeveria përfaqëson, por janë qytetarët e Kosovës gjithashtu, por duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për sanksionet që vuri Shqipëria”, u shpreh Berisha.
Berisha komentoi dhe deklaratën e zyrtarit të lartë të SHBA, Aleksandër Kasanof gjatë ceremonisë së 5-vjetorit të SPAK, i cili kërkoi që të gjithë prokurorët e Prokurorisë së Posaçme të mund të marrin një mandat të dytë. Kryedemokrati nuk kundërshtoi, por me një kusht.
“Zv/ndihmës sekretari i shtetit u shpreh për të kandiduar, por jo atë që thotë Dumani, të ma zgjasin mandatin kushtetues. Është tjetër zgjatja e mandatit. Dumani kërkon që t’i bëhet për 18 vite, ajo nuk ndodh, nuk mund të bëhet kurrë. Rigara, rigarimi në qoftë se ai zbaton ligjin nuk ka asnjë arsye të dalë nga sistemi”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje