Kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu, lidhur me revoltën qytetare ndaj saj. Pas vrasjes së Martin Canit është kërkuar dorëheqja e saj, por Rama e ka bërë të qartë se nuk do të ndodhë një gjë e tillë.
Sot u prezantua plani për sigurinë në shkolla, ku masa më e ashpër është mbyllja e “TokTok”. Rama u ndal dhe te kërkesat për ministren duke e marrë në mbrojtje.
Rama i cilësoi akuzat si përpjekje për përfitime absurde nga një ngjarje e dhimbshme dhe shprehu mbështetjen për ministren, duke thënë se do transformojë sistemin arsimor.
“Dua të shpreh publikisht, edhe si përgjigje për ata që deshën edhe njëherë të nxjerrin përfitime absurde nga tragjedia e një familjeje dhe humbja e një jete, duke drejtuar gishtin e akuzave dhe duke kërkuar përgjegjësi personale nga ministrja e arsimit. Ministrja ka jo vetëm gjithë mbështetjen time, por kam bindjen se ashtu sikurse ka luajtur një rol në transformimin e sistemit shëndetësor, do të luaj një rol që do jemi falënderues edhe në transformimin e sistemit arsimor”, tha ai.
Nga takimi me prindërit dhe mësuesit për planin e ri të masave për sigurinë në shkolla ku përfshihet edhe bllokimi i Tiktok, kryeministri Edi Rama tha se tragjedia u bë shkak që të vihej në lëvizje një shoqëri e tërë.
“Faleminderit që në një paradite pushimi jeni të gjithë këtu, anëtarë dhe përfaqësues të këshillit të prindërve, drejtues dhe mësues shkollash, përfaqësues të institucioneve, në një takim që sintetizon të gjithë procesin e këshillit në të gjithë territorin e Shqipërisë, prej ku doli dhe plani i ri i veprimit, për fuqizimin e mekanizmave të sigurimit në shkollë. U bë shkak një tragjedi që të vihej në lëvizje një shoqëri e tërë dhe një tërësi komunitetesh shkollore dhe prindërore dhe të gjithë territorin e Shqipërisë dhe nga ana tjetër të vihej në lëvizje e njëjta fuqi lëvizje e vetshoqërisë, e përfaqësuar dhe mishëruar në Parlamentin e Shqipërisë dhe në media. Si gjithnjë, qasja ndaj një ngjarje ka sjellje të ndryshme. Si gjithnjë, në një qasje ndaj një ngjarje ka një farsë, ka dhe një marrje përgjegjësie. Dhe si gjithnjë këtu në vendin tonë, edhe në këtë rast, farsa nuk mungoi me të gjithë atë forcë destruktive, që në fakt rivret të vrarët, riplagos të plagosurit dhe nuk lejon që reflektimi dhe nxjerrja e mësimeve të zhvillohet në mënyrë gjithë përfshirëse”, vijoi ai.
Lini një Përgjigje