TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Mars 2026, 18:40

Protesta e 6-të kombëtare, PD kërkon dorëheqjen e kryeministrit!

Shkruar nga Pamfleti
Protesta e 6-të kombëtare, PD kërkon dorëheqjen e
Protesta e PD

PD zbret sërish në shesh kundër qeverisë, blindohen institucionet, selia e PS dhe Vila 31...

Ka nisur protesta e PD para Kryeministrisë.  Opozita mban sot në Tiranë protestën e saj të gjashtë kombëtare, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Qindra qytetarë janë mbledhur para Kryeministrisë, ndërkohë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë nga selia blu dhe është nisur në këmbë drejt bulevardit ku po zhvillohet protesta, ndërsa pritet t’i bashkohet turmës në vijim të tubimit. Lëvizja e tij drejt protestës vjen në një moment kur opozita ka intensifikuar thirrjet për pjesëmarrje dhe përshkallëzim të aksionit politik.

Kjo protestë zhvillohet në një klimë të tensionuar, pas tubimit të fundit që degjeneroi në përplasje mes protestuesve dhe policisë, ku u shënuan edhe episode të përdorimit të molotovëve pranë institucioneve shtetërore. Ngjarjet e protestës së kaluar kanë diktuar një prani të shtuar të forcave të rendit dhe masa më të forta sigurie për tubimin e sotëm.

Rreth 1500 efektivë policie janë angazhuar në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë, ndërsa forca të shumta janë shpërndarë në disa pika të konsideruara sensitive në kryeqytet. Prani e shtuar policore është vendosur pranë ish-Vilës 31, rezidencës së dikurshme të Enver Hoxhës, e cila ishte një nga zonat ku u regjistruan tensione gjatë protestës së kaluar.

Ndërkohë, institucione kyçe si Kryeministria dhe Kuvendi janë rrethuar me gardhe metalike, ndërsa masa të ngjashme sigurie janë marrë edhe pranë selisë së Partisë Socialiste. Këto masa synojnë të parandalojnë çdo tentativë për depërtim apo përshkallëzim të situatës gjatë zhvillimit të tubimit.

Protesta po zhvillohet pa podium për mbajtjen e fjalimeve, duke ndjekur të njëjtin format si tubimi i mëparshëm, çka sugjeron një formë më të lirë organizimi në terren dhe një fokus më të madh te pjesëmarrja e protestuesve.

Autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu kufizime të qarkullimit në disa akse kryesore të Tiranës, ndërsa policia u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonat ku po zhvillohet protesta dhe të distancohen nga çdo akt i mundshëm i dhunshëm.

Mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet protesta në orët në vijim dhe nëse tubimi do të shoqërohet me incidente, në një situatë ku tensionet politike mbeten të larta.

 

pd protesta

Lini një Përgjigje