
Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka dalë nga selia e Partisë Demokratike dhe së bashku me mbështetësit që e prisnin jashtë, janë nisur drejt godinës së Kryeministrisë. Ashtu si në protestat e mëparshme kombëtare, Berisha dhe mbështetësit e tij po përshkojnë në këmbë itinerarin nga selia e PD-së deri te Kryeministria ku dhe do të mbahet tubimi.
Në protestën e sotme është raportuar se nuk do të ketë fjalime, vetëm tubim. Udhëheqësit e opozitës nuk kanë folur për një skenarë të përcaktuar, pasi janë shprehur se i’a kanë lënë në dorë protestuesve.
Megjithatë, skenari i protestës së sotme pritet të jetë i ngjashëm me tubimin e 28 shkurtit, ku protestuesit e opozitës bënë një marshim rrugëve të Tiranës.
Gjatë marshimit të tyre, protestuesit hodhën molotovë nëpër rrugët e Tiranës, duke djegur koshat e mbeturinave, me atë që kulmoi me molotovët e hedhur ndaj vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, në zonën e ish-Bllokut.
Lini një Përgjigje