
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e sotme.
Disa orë para nisjes së protestës, Berisha u ka kërkuar qytetarëve të bashkohen dhe të reagojnë për rrëzimin e qeverisë.
Në mesazhin e tij, Berisha i fton qytetarët të mobilizohen masivisht dhe të dalin në shesh.
“Ndaj dhe mënyra më dinjitoze për të nderuar sot 34 vjetorin e 22 Marsit është të dalim të gjithë në shesh, të ngrihemi fuqishëm për të kundërshtuar këtë regjim, për të kërkuar largimin e menjëhershëm të Edi Ramës nga pushteti”, tha ai.
Kryedemokrati thekson se protesta synon të kundërshtojë atë që opozita e cilëson si manipulim zgjedhor dhe përdorim të pushtetit për interesa të paligjshme.
“Për t’i dëshmuar Edi Ramës dhe botës se, ne nuk pajtohemi kurrë me farsat zgjedhore”, shprehet Berisha në deklaratën e tij.
Ai e cilëson protestën si një akt të rëndësishëm qytetar dhe bën thirrje për pjesëmarrje të gjerë.
“Sot le ta shndërrojmë ne këtë ditë në kryengritjen më të madhe paqësore që ka njohur Shqipëria”, theksoi Berisha.
Tubimi i thirrur nga opozita pritet të zhvillohet gjatë ditës së sotme, ndërsa nuk ka ende detaje të plota mbi pjesëmarrjen apo masat e sigurisë. Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga qeveria lidhur me thirrjet dhe akuzat e ngritura nga kreu i PD.
"Në kushtet të dhunimit, të shndërrimit të votës, të zgjedhjeve në farsë zgjedhore, në kushtet e një bashkëpunimi të ngushtë të pushtetit në të gjitha nivelet me kartelet e drogës dhe së fundi në kushtet e paketave ligjore dhe përdorimit të mandateve të krimit, për të bllokuar luftën kundër korrupsionit, për të mbrojtur korrupsionin, vjedhjen e qytetarëve shqiptarë nga Edi Rama dhe organizata e tij kriminale.
Ndaj dhe mënyra më dinjitoze për të nderuar sot 34 vjetorin e 22 Marsit është të dalim të gjithë në shesh, të ngrihemi fuqishëm për të kundërshtuar këtë regjim, për të kërkuar largimin e menjëhershëm të Edi Ramës nga pushteti.
Për t'i dëshmuar Edi Ramës dhe botës se, ne nuk pajtohemi kurrë me farsat zgjedhore.
Nuk pajtohemi kurrë me përdorimin e mandateve të krimit dhe të ligjeve të vendit, për të mbrojtur qeveritarët hajdutë dhe kryeministrin kryehajdut të vendit.
Sot le ta shndërrojmë ne këtë ditë në kryengritjen më të madhe paqësore që ka njohur Shqipëria, përsëri në ditën e shpresës së madhe për shqiptarët, të ardhmes evropiane të tyre", tha Berisha ndër të tjera.
Lini një Përgjigje