Partia Demokratike mban sot protestën e radhës në Tiranë, në vijim të aksionit opozitar kundër qeverisë.
Protesta e fundit u shoqërua me incidente dhe përshkallëzim dhune, ku u hodhën edhe molotovë drejt godinave shtetërore, duke detyruar autoritetet të marrin masa të shtuara sigurie për tubimin e sotëm.
Në këtë kuadër, Policia e Shtetit ka angazhuar rreth 1500 efektivë dhe ka shpërndarë forca në disa pika të konsideruara sensitive në kryeqytet. Një prani e shtuar policore është vendosur pranë ish-Vilës 31, rezidencës së dikurshme të Enver Hoxhës, ku gjatë protestës së kaluar u regjistruan tensione.
Ndërkohë, edhe selia e Partisë Socialiste është rrethuar me gardh metalik, si pjesë e masave parandaluese për të shmangur çdo incident të mundshëm.
Tubimi pritet të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe, ashtu si në protestën e mëparshme, nuk është parashikuar vendosja e një podiumi për mbajtjen e fjalimeve.
Autoritetet kanë paralajmëruar kufizime të lëvizjes në disa akse kryesore të Tiranës, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin zonat ku zhvillohet protesta dhe të respektojnë rregullat për ruajtjen e rendit publik.
Lini një Përgjigje